Ka përfunduar takimi në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron, i cili u zhvillua në Pallatin Elysee në Paris, njofton Insajderi.
Nga Zyra e Kryeministrit kanë njoftuar se, gjatë takimit është biseduar për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe të ardhmen evropiane, si dhe sfidën e përbashkët në ballafaqimin me pandeminë COVID-19.
Ndërkaq, para takimit të dy liderët kanë dhënë nga një deklaratë për media.
“Në fjalën e tij, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen ndaj Francës, për drejtësinë e lartë që vendosi në kuadrin e Aleancës Veriatlantike për t’i dhënë fund një regjimi shovinist që synonte territore me çdo kusht, qoftë edhe me gjenocid mbi civilët. Ai tha se Evropa është bashkimi më i mirë për të hedhur bazat e një paqeje afatgjatë dhe të konceptuar drejtë. Kryeministri ritheksoi se Qeveria e Kosovës do të kontribuojë me të gjitha mundësitë edhe në rajon, me marrëdhënie të mira ndërfqinjësore, edhe drejt perspektivës dhe integrimeve evropiane”, thuhet në kumtesë.
Në anën tjetër, Macron konfirmoi mbështetjen e Francës për shtetin e së drejtës, sigurinë dhe prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës./Insajderi.com