Diplomacia sllovene nuk dëshiron të komentojë mbi kërkesën e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për t’u mbrojtur në arrest shtëpiak në këtë vend.
Ani pse mediat sllovene kanë raportuar se i akuzuari për krime lufte në Hagë, Hashim Thaçi, ka përzgjedhur Slloveninë si vend të tretë që mund të sigurojë mbrojtjen e tij përmes arrestit shtëpiak, nga Ministria e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, kanë vendosur të mos japin detaje lidhur me shqyrtimin e kësaj kërkese.
MPJ-ja sllovene thonë se nuk komentojnë mbi këtë çështje.
“Ministria e Punëve të Jashtme Slloveni nuk i komenton këto pyetje”, thonë shkurtazi nga ky dikaster për Gazetën Online Insajderi.
Gazeta sllovene “Necenzurirano” në një artikull të publikuar më datë 10 korrik, thotë që mediumi posedon informacion se Thaçi ka zgjedhur që si vend i tretë, i cili mund të garantojë mbrojtjen e tij është shteti slloven.
“Ky informacion na është konfirmuar nga disa burime brenda Sllovenisë dhe jashtë saj po ashtu”, thuhet në këtë artikull.
Se a qëndrojnë këto raportime të gazetës sllovene, nuk e ka mohuar e as pohuar edhe zyra për media e Gjykatës Speciale.
Krejt çka mund të thonë nga kjo zyrë lidhur me rastin e Thaçit është se “të gjitha regjistrimet publike, përfshirë kërkesat e bëra nga mbrojtja (dhe çdo vendim për to), janë botuar në faqen e internetit”.
Deri më tani, dokumentet publike tregojnë se Thaçi kishte kërkuar lirim me kusht në dhjetor të vitit të kaluar, duke u pajtuar me mundësinë që të jetë në arrest shtëpiak gjatë gjykimit “në një shtet të tretë që nuk është në kufij me Kosovën”.
Dokumentet e gjykatës megjithatë nuk tregojnë se cili është vendi i kërkuar nga Thaçi, por kjo kërkesë i ishte refuzuar nga Gjykata në Hagë.
Kjo kishte ndodhur në janar të këtij viti, duke u arsyetuar se Thaçi mund ta shfrytëzojë rastin për të ikur dhe gjithashtu gjykata kishte pasur frikë se Thaçi mund të ndikojë te dëshmitarët. Sipas gjyqtarëve, Thaçi mund ta ushtrojë këtë ndikim edhe po që se mbahet në një shtet të tretë.
Mirëpo, gjykata mund t’i bëjë një rivlerësim kërkesës së Thaçit, pasi gjyqtari gjerman Kai Ambos, në një opinion të tij ka shkruar se duhet “konsideruar seriozisht kërkesa e Thaçit, nëse ai merr ndonjë ofertë nga ndonjë vend i tretë si garantues për të”.
Ai shkruan se “një ofertë e tillë do të ishte një argument i fortë për Thaçin”, derisa shtonte se “Thaçi është i bindur se do të mundet ta sigurojë këtë mbështetje nga një vend i tretë”. /Insajderi.com