Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, javë më parë ishte shprehur se nuk do të ketë dialog me Serbinë pa përfshirjen e SHBA-ve në dialogun mes dy vendeve. Ai kishte thënë se nuk do të ulët fare në tavolinë pa prezencën e SHBA-ve.
Insajderi ka kërkuar një përgjigje nga zyra e BE-së në Kosovë rreth kërkesës së Haradinajt për pjesëmarrjen e SHBA-ve në dialog. Në përgjigjen e kësaj zyre nuk është përcaktuar nëse BE mbështet propozimin e Haradinajt.
“Të dy palët kanë rënë dakord të fillojnë punën në dialogun e lehtësuar nga BE për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës. Përfaqësuesja e Lartë, Federica Mogherini ka rikonfirmuar kohët e fundit se dialogu ka hyrë në një fazë të re”, thuhet në përgjigjen e zyrës së BE-së.
Zyra e BE-së po ashtu është shprehur se BE bashkëpunon me SHBA-në për çështje që kanë të bëjnë me Ballkanin Perëndimor.
“Mogherini u takua disa herë në muajt e fundit me presidentët Vuçiq dhe Thaçi. Një perspektivë konstruktive për të cilat jemi plotësisht të përkushtuar. BE punon shumë ngushtë me SHBA-në për Ballkanin Perëndimor”, thuhet më tej në përgjigjen e zyrës së BE-së.
“Qeveria e Shteteve të Bashkuara vazhdon të mbështesë dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Ne do të punojmë nga afër me ekipin e Përfaqësueses së Lartë Mogherini lidhur me atë se si të ofrohet përkrahje më e fuqishme për procesin e dialogut”, thuhej në përgjigjen ambasadës amerikane në Prishtinë ditë më parë.
“Përfshirja direkte e SHBA-së në këtë fazë përfundimtare është e domosdoshme për të siguruar një marrëveshje përfundimtare të pranueshme dhe të zbatueshme për të dy palët e cila do të forcoj paqen dhe stabilitetin ne rajon dhe me gjerë”, kishte deklaruar Thaçi.
Ndërkohë që kryeministri Haradinaj ishte shprehur se nuk do të ketë dialog me Serbinë pa përfshirjen e SHBA-ve.
“S’mund të vazhdojmë në dialog nëse s’është Amerika në tavolinë”, kishte deklaruar Haradinaj./Insajderi.com