Përgjigje ndaj reagimit të Gjykatës së Apelit që e akuzon Insajderin për përpjekje të ndikimit në pavarësinë e gjyqësorit.
Sa herë përmendet Gjykata e Apelit, mendja më shkon tek Sali Mekaj. Ky institucion identifikohet me të. Është imazh i saj.
M’u kujtua edhe kur e pash reagimin e Gjykatës së Apelit për media, të dërguar para disa minutash.
M’u kujtuan rropatjet e tij nëpër burgje e gjyqe për akuza të rënda. Ai akuzohet se përdori autoritetin e kryetarit të Gjykatës së Apelit për të ndërmjetësuar në një rast fajdesh në vlerë prej 200 mijë eurosh, ku është i përfshirë një i afërm i tij.
Po ashtu akuzohet për marrje të ryshfetit në tentativë dhe kërkim të favoreve seksuale nga gruaja e një të burgosuri, në këmbim të lirimit të tij.
U bënë gati një vjet që Apeli funksionin me ushtrues detyre prej suspendimit të Mekajt, i cili ishte zgjedhur nëpërmjet intervenimeve të Adem Grabovcit.
Por, sot Gjykata e Apelit kishte harruar që Sali Mekaj është fytyra përfaqësuese e këtij institucioni.
Në reagimin dërguar mediave, përpiqet t’i njollos Gazetën Online Insajderi dhe Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës. I vlerëson si organizata që tentuan të njollosin Apelin dhe të ndërhyjnë në pavarësinë e gjyqësorit.
Citoi postulate të gjyqësorit të drejtë, të pavarur dhe ta pandikuar. Për një moment mendova se jam duke lexuar ndonjë reagim të gjykatave të vendeve perëndimore, për të cilat këto postulate janë të shenjta.
Por, shumë shpejtë m’u rishfaq Sali Mekaj.
Përmbajtja e reagimit të Gjykatës së Apelit është skandaloze. Është përpjekje për t’ia mbyllur gojën gazetarëve dhe Gazetës Online Insajderi.
Reagimi thotë qartësisht se Insajderi është përpjekur që të ndikojë në pavarësinë e gjyqësorit. Thuhet në reagim se “Insajderi është palë në procedurë”.
Çfarë mesazhi është ky?
Sipas Apelit, fakti që je palë në procedurë duhet që ta kesh për obligim që të pajtohesh me vendimet që shkojnë në dëm të mediumit dhe në favor të politikanëve të fuqishëm?
Duhet ta mbyllësh gojën.
Insajderi avokon për sistem gjyqësor të pavarur. Nëse gjyqtarët e Apelit lexojnë ndonjë artikull mund ta vërejnë këtë. Por, Insajderi është kundër veprimeve që cenojnë pavarësinë e gjyqësorit.
I tillë ishte vendimi i Apelit që e ka kritikuar Insajderi dhe vazhdon ta bëjë këtë.
Aktvendimi i datës 16 tetor ishte i tillë. Udhëzonte palën paditëse, Adem Grabovcin, se çfarë veprime duhet të ndërmarrë.
E bëri atë që nuk arritën ta bëjnë avokatët e Adem Grabovcit, e ka bërë Gjykata e Apelit.
Urdhëroi Gjykatës Themelore, e cila hodhi poshtë kërkesën e Grabovcit për ndalim të publikimit të përgjimeve, që të kërkojë nga paditësi që të sjell prova të reja lidhur me pretendimet se i është shkelur privatësia dhe të drejtat kushtetuese.
Një rast i ngjashëm, ku udhëzohet shkalla e parë për t’i kërkuar më shumë prova paditësit nuk është parë ndonjëherë në praktikat gjyqësore.
Por, kjo ndodhi në rastin ku është i përfshirë politikani, Grabovci.
Hartuesit e reagimit të sotshëm kundër Insajderit dhe Asociacionit të Gazetarëve do të ishte më mirë që ta sqarojnë këtë dilemë para publikut.
Pse ndodhi që të favorizohet Grabovci nga një vendim që nuk është në praktikën gjyqësore dhe, në fakt është i kundërligjshëm?
Një sqarim i tillë do të ishte më i nevojshëm se sa një reagim që sulmon komunitetin e gazetarëve.
Ata nuk do ta bëjnë këtë. Nuk besoj se do ta bëjnë ndonjëherë këtë, derisa këtë institucion e udhëheqin gjyqtarë si Sali Mekaj, të emëruar nëpërmjet telefonit nga i dyshuari Adem Grabovci.
Për tu informuar më shumë për imazhin e Gjykatës së Apelit si institucion i pavarur mund të lexoni pikat e aktakuzës kundër Sali Mekajt dhe të tjerëve:
I pandehuri Salih Mekaj,
si person zyrtar, kryetar i Gjykatës së Apelit të Kosovës, me seli në Prishtinë, ka shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë kundërligjore për vete dhe për persona të tjerë, në mënyrë që në periudhën janar – 20 korrik 2015, ka realizuar raporte të afërta me tani të pandehurën Vlora Gorani, e cila ka pasur interes të drejtpërdrejt në dy lëndë penale që zhvillohen pranë Gjykatës Themelore në Pejë, prej të cilave njëra lëndë ka të bëjë me bashkëshortin e saj Fahri Deçani, për veprën penale të shtytjes në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë dhe veprën penale të vrasjes në tentativë, si dhe një lëndë tjetër që ka të bëjë me mikun e saj Mentor Seferaj, për veprën penale që lidhet me narkotikët në formë të krimit të organizuar, për të cilat lëndë i pandehuri Salih Mekaj i ka premtuar të pandehurës Vlora Gorani se do të angazhohet për caktimin e shqyrtimit gjyqësor, si dhe ricilësimin juridik të veprave penale, për të cilat ngarkohen të pandehurit Fahri Deçani dhe Mentor Seferaj, nga veprat penale më të rënda në ato më të lehta, në mënyrë që ata të lirohen nga paraburgimi, kështu që me këtë qëllim i pandehuri Salih Mekaj më 16 korrik 2015 është takuar në Prishtinë me Lumturije Muhaxheri, gjyqtare e çështjes në Gjykatën Themelore në Pejë, me ç’rast ka kërkuar nga ajo që ta caktoj shqyrtimin gjyqësor në lëndën e të pandehurit Fahri Deçani, edhe pse ka ditur që një gjë e tillë është në kundërshtim me Aktvendimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës, PAKR nr. 100/2013 të datës 26.11.2013, që lënda kundër të pandehurit Fahri Deçani nuk mund të veçohet dhe kjo lëndë duhet të bashkohet me lëndët për të njëjtën çështje penale ndaj të pandarëve Haki Gjocaj dhe Florim Gjocaj,
– me çka ka kryer veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 të KPRK-së.
E pandehura Vlora Gorani,
në periudhën janar-20 korrik 2015 në Prishtinë dhe Pejë, me dashje ka shtytë të pandehurin Salih Mekaj, kryetar i Gjykatës së Apelit të Kosovës, të kryej veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, në atë mënyrë që sipas marrëveshjes me të pandehurin Mentor Seferaj ajo ka hyrë në marrëdhënie të vazhdueshme intime me të pandehurin Salih Mekaj, me qëllim që përmes tij ta shpejtoj caktimin e shqyrtimit gjyqësor dhe pastaj edhe ricilësimin juridik të veprave penale për të cilat ngarkohen të pandehurit Mentor Seferaj dhe Fahri Deçani, nga veprat penale më të rënda në ato më të lehta, dhe në këtë mënyrë të arrij lirimin e tyre nga paraburgimi;
– me çka ka kryer veprën penale Shtytje në kryerjen e veprës penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 të KPRK-së lidhur me nenin 32 të KPRK-ës.
Të pandehurit Vlora Gorani, Mentor Seferaj dhe Ali Seferaj,
kanë tentuar kryerjen e veprës penale të dhënies së ryshfetit ashtu që, sipas marrëveshjes paraprake dhe në bashkëpunim mes vete, me 20 shkurt 2015 në Pejë, e pandehura Vlora Gorani ka marrë nga i pandehuri Ali Seferaj para në shumë prej 20.000,00€, të cilat ka pasur për t’ia dhënë personit zyrtar Salih Mekaj, kryetar i Gjykatës së Apelit të Kosovës, me qëllim që përmes tij të arrijnë lirimin nga paraburgimi i të pandehurve Mentor Seferaj dhe Fahri Deçani, për veprat penale të përshkruara në pikën një të kësaj aktakuze,
– me çka në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Dhënia e ryshfetit nga neni 429 par. 3 lidhur me par 1 të KPRK-së lidhur me nenin 28 dhe 31 të KPRK-ës.
I pandehuri Salih Mekaj,
si person zyrtar, kryetar i Gjykatës së Apelit të Kosovës, ka shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij zyrtar, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë për vete apo personin tjetër, përkatësisht për të afërmin e tij Asdren Mekaj, në atë mënyrë që me datën e papërcaktuar në muajin mars 2015 në Klinë, është takuar me të dëmtuarin Zef Gruda, si dhe më 11 prill 2015 në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë, është takuar me të dëmtuarin Zef Gruda dhe djalin e tij Pal Gruda me qëllim që prej tyre të nxjerrë borxhin në shumë prej 200.000,00 €, duke pretenduar se Pal Gruda i ka borxh të afërmit të tij Asdren Mekajt;
– me çka ka kryer veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 të KPRK.