Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë gjatë konferencës për media pas mbledhjes së Qeverisë se nuk do të marrë masa ndaj ministrit serb, Goran Rakiq.
Rakiq si kryetar i Listës Serbe ka qenë pjesë e protestave të serbëve kundër reciprocitetit të targave.
“Me atë çfarë di unë dhe çfarë më ka thënë ai, ai është kujdesur që situata të mos tensionohet, andaj edhe nuk do të marrë ndonjë masë ndaj tij”, ka thënë Kurti.
Pikërisht, këtë thotë t’ia ketë kumtuar edhe ambasadorëve të QUIN-t.
“Kjo masë është e barabartë me atë që shteti i Serbisë e aplikon ndaj Kosovës për dy dekada”.
“E kam bërë të ditur edhe në takimin që e kam pasur dje me ambasadorët e QUINT-it dhe me shefin e misionit të BE-së, se vendimi i Kosovës është në kornizën e zbatimit të ligjit dhe jam i gatshëm që në çdo kohë këtë masë ta heqë nëse kemi një zotim të tillë edhe nga pala e Serbisë”, pohoi Kurti.
Kurti për Vuçiqin: Ka inat vrer
Kreu i ekzekutivit kosovar ka thënë se nuk e ka dëgjuar të plotë deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pas takimit që kishte të martën në Këshillin për Siguri Kombëtar në Serbi.
Por, Kurti – vlerësoi se Vuçiq ka cilësime jo të drejta për vlerësimet e Qeverisë.
“Në anën tjetër vërejta që ka shumë inat dhe vrer që nuk i kontribuon deeskalimit të situatës. Nuk e di se për çfarë masash të Serbisë ndaj Kosovës e ka fjalën, por besoj që Kosova dhe Serbia duhet të ndërtojnë marrëdhënie të mira fqinjësore duke u bazuar edhe në interesat e përbashkëta dhe vlerat evropiane”.
Zgjidhja:
Albin Kurti deklaroi gjatë konferencës për media se janë të gatshëm të diskutojnë për këtë çështje.
Kjo për qëllim se të ketë një zgjidhje të përhershme për lirinë e lëvizjes.
“Bisedimet nuk duhet të kenë alternativa apo plane të tjera, ne jemi të interesuar për zgjidhje të përhershme të lëvizjes së qytetarëve mes dy shteteve, të lëvizim me tabela zyrtare dhe t’ju ofrojmë qytetarëve tanë një perspektivë të re”, theksoi Kurti.
Si nisi e gjitha kjo?
Të hënën, Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës u pozicionuan në disa pika kufitare me Serbinë.
Kjo për ta zbatuar reciprocitetin e targave, që cilësohet të jetë edhe pjesë e Marrëveshjes së Brukselit në kuadër të lëvizjes së lirë.
Pas këtyre zhvillimeve, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, deklaroi se “Prishtina duhet t’i largojë forcat e saj dhe të ulen për të biseduar”.
Ndërkohë, zyrtarë ushtarakë serbë kanë deklaruar se “janë të gatshëm në rast se marrin urdhër nga Vuçiq”.
Makineri ushtarake serbe qarkulluan mbrëmjen e së martës pranë kufirit me Kosovën.
Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurit, iu ka thënë ambasadorëve të vendeve perëndimore se duhet të vlejë i njëjti standard si për Kosovën ashtu për Serbinë.
“Ose dy palët kanë të drejtë, ose të dyat gabim”, ka deklaruar Kurti. /Shqip.com