Përgjigjja e Haxhiut nëse LVV do të marrë pjesë në takimin e LDK-së

Përgjigjja e Haxhiut nëse LVV do të marrë pjesë në takimin e LDK-së

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka bërë të ditur dje se gjatë të mërkurës së javës që vjen do të mbahet “tryeza e përbashkët” e partive politike, ku ndër të tjera do të diskutohet edhe për zgjedhje të parakohshme, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Pas kësaj, pro tryezave për diskutim është deklaruar edhe Lëvizja Vetëvendosje. Ndoënse ende nuk ka pranuar ftesën, deputetja e këtij subjekti, Albulena Haxhiu ka konsideruar se duhet shkuar në takimin e së mërkurës.

“Sigurisht që ne presim që zyrtarisht ta kemi ftesën e Grupit Parlametar të LDK-së. Pastaj duhet ta trajtojmë në organet e Lëvizjes Vetëvendosje. Unë mendoj që duhet shkuar në këtë takim dhe qëndrimi ynë do të jetë në raport me atë që vendi ka nevojë të shkojë në zgjedhje sa më parë”, ka theksuar ajo gjatë një bisede për “Zërin”.

Megjithatë sipas Haxhiut, qasja e LDK-së sa i përket kërkesës për zgjedhje është hipokrite.

“Duhet kritikuar edhe qasjet hipokrite për faktin që në vazhdimësi grupi parlamentar i LDK-së po bën ftesë për zgjedhje të jashtëzakonshme, por në anën tjetër flasin edhe për qeveri teknike. Unë besoj që Lëvizja Vetëvendosje do të jetë e pranishme në këtë tryezë dhe do të kërkojë që të kemi zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka shtuar ajo.