Prokuroria italiane ka marrë dje në pyetje shtetasin kosovar Arjan Babaj i arrestuar dy ditë më parë si anëtar i një celule terroriste xhihadiste që po organizonin hedhjen në erë të urës Rialto në qytetin e Venecias.
Arjan Babaj 28 vjeç, më i madhi në moshë i kësaj celule të përbërë nga 4 kosovarë, konsiderohet strategu e guida e tyre shpirtërore. I marrë në pyetje në burgun e Venecias, 28-vjeçari kosovar nuk ka pranuar të flasë para prokurorëve. Gjatë ditës së sotme pritet të merret në pyetje në burgun e Bellunos Fisnik Bekaj, 25 vjeç dhe në burgun e Trevizos Dake Haziraj 26 vjeç.
Akuza ndaj tyre është përkrahje e propagandës xhihadiste e pjesëmarrje në organizim me qëllim terrorizëm ndërkombëtar. Ndërkohë policia italiane ka bërë publike biseda të tjera të përgjuara mes anëtarëve të kësaj celule ku shprehen qartë qëllimet e tyre terroriste. Në orën 3 të natës më datë 7 mars 2017 Arjan Babaj bisedon me anëtarët e celulës së tij:
“Për myslimanët është një detyrim të shkatërrojnë kishat e t’i kthejnë në xhami. Ne këtu jemi vetëm 5 veta. Por jashtë mund të jenë 50 mijë të tjerë. E me 50 mijë persona a e di çfarë bën? Jo Kosovën, por Evropën shkatërron! Nëse të gjithë myslimanët do të ndiqnin besnikërisht konceptet e fesë së tyre, Evropa do të ishte zhdukur.
Në bazën e tyre në apartamentin prej 35 metra katror në lagjen San Marco të Venecias më datë 2 mars 2017 , kosovarët bisedojnë mbi ngjarjet e fundit në Turqi. Më i vogli i grupit në moshë minorene dhe i konsideruar nga hetuesit italianë si më i radikalizuar i grupit shprehet:
“Jam shumë i kënaqur për çka ndodhi në Turqi, tani duhet të bëjmë diçka në San Marco”.
Fisnik Bekaj përpiqet të shpjegoj se Italia nuk ka gisht në këtë mes e se nuk po lufton kundër ISIS, por Arjan Babaj e kundërshton:
“Ka të bëj dhe Italia, dhe Italia ka çuar ushtarë e mjete në mënyrë jo direkte pasi është pjesë e OKB ku marrin pjesë të gjithë shtetet”.
Më datë 22 mars 2017 pas sulmit terrorist në parlamentin e Londrës, anëtarët e celulës xhihadiste kosovare mblidhen në bazën e tyre e bisedojnë. Dake Hazizaj shprehet:
“E patë çfarë ndodhi në Londër? I vranë 2 ose 3 vetë e u plagosën 12-13 të tjerë, E bëri njëri me mjekër.” Fisnik Bekaj përgjigjet: “Sa mirë ja ka bërë”.
Përgjimet telefonike vërtetojnë se grupi i kosovarëve ishte i gatshëm të nisej drejt Sirisë.
Arjan Babaj jepte orientime operative se si mund të mbërrinin në vendet e luftës.
“E kam studiuar mirë. Fillimisht mbërrin në Egjipt, nga Egjipti është e thjeshtë pasi ka mjaft korridore për të mbërritur në fushëbetejë. Por në Egjipt është e vështirë të mbërrish duke u nisur nga Kosova”, thotë ai.
Katër kosovarët e arrestuar frekuentonin 3 apo 4 herë në javë palestrën në qendër të Venecias. Në banesën e tyre u gjetën edhe mjaft video stërvitje të ushtarëve të ISIS.
[arve url=”https://www.youtube.com/watch?v=Ynrc9GdY9nw”/]