Përkrahësi i Haradinajt që deshi ta rrah qytetarin midis sheshit

Përkrahësi i Haradinajt që deshi ta rrah qytetarin midis sheshit

Një qytetar i cili ka qenë duke ecur nëpër Sheshin “Nëna Terezë” për pak nuk ka përfunduar i rrahur sot gjatë kohës kur përkrahës të liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, festonin nëpër kryeqytet, lirimin e tij.

Bëhet fjalë për Nazmi Mulakun i njohur edhe mjek popullor me emrin Bio Mulaku që pretendon se shëron shumë sëmundje, prej “pengesat në dashuri” e deri te “mbrojtja nga xhinet”.

Me banim në Zvicër, sipas të dhënave në profilin e tij, Mulaku që është nga Vushtrria kishte vendosur që me veturën e tij që vozitej nga një person tjetër të hynte mes për mes Sheshit “Nëna Terezë”.

Madje këtë rrugëtim të tij nëpër shesh kishte vendosur ta bënte publik duke hyrë LIVE në Facebook, përmes faqes së tij prej mjeku popullor “Bio Mulaku”.

Me muzikë patriotike dhe me veturën e mbuluar me emblema të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Mulaku në një moment del jashtë veture për tu konfrontuar me një qytetar i cili i del përpara makinës për t’ia kujtuar se sheshi është vend për këmbësorë.

“Çka u ba..”, pyet Mulaku qytetarin i cili i thotë se “sheshi është për këmbësorë”.

“Shko bre se po ta q** nanen”, vazhdon Mulaku i cili del edhe jashtë veturës për t’u marrë me qytetarin.

Megjithatë duket se “festa” nuk e ka lejuar atë që ta rrah qytetarin pasi siç shihet në video ai shpëton pa dajakun që ka mundur ta hajë nga të Mulaku dhe shoferi i tij që në një video tjetër e prezanton si Vandama aka Tigri.

E kjo nuk është e tëra.

Mulaku dhe Tigri në një LIVE video tjetër shihet teksa vozisin drejt stacionit policor.

“Një mesazh policisë dhe shqipfolsav: Ja kom prish rregullat, ajrin do serbëve që me ju ra në sy. Këtë festë që e bëjë për Ramushin, qetash shkoj në stacionin e Policisë po qysh hije si kral dalë”, thotë ai në videon të cilën mund ta shihni më poshtë.

Insajderi ka provuar që të kontaktojë me Mulakun për të mësuar nëse është ende në Stacionin e Policisë por nuk e ka hapur telefonin. Njëjtë edhe zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti./Insajderi.com