Me homazhe dhe nderime, të enjten në “Lëndinën e lotëve” në Malishevë, ku edhe janë të varrosur 15 maturantët e gjimnazit të Malishevës, janë përkujtuar nga familjarët, Gjimnazi “Hamdi Berisha” (ish gjimnazi “Avdul Frashëri), zyrtarë komunal, përfaqësues të subjekteve politike, ish gjimnazistët e gjeneratës dhe qytetarë të shumtë.
17 vite më parë, autobusi me maturantë të Gjimnazit “Avdyl Frashëri”, tani Gjimnazi “Hamdi Berisha”, është aksidentuar në Fushë Arrëz, përderisa po ktheheshin nga ekskursioni në Shqipëri, dhe në këtë aksident, 15 maturantë kishin humbur jetën dhe ishin lënduar dhjetëra të tjerë.
Drejtori i Drejtorisë për Arsim dhe Edukim në Malishevë, Blerim Thaçi, duke ju drejtuar familjarëve të maturantëve, mes emocionesh, ju tha se “duhet të jenë të fortë, edhe pse ishte një humbje e madhe, jo vetëm për familjet por për të gjithë vendin”. “Ata ishin në ekskursion, për t’u njohur me vendin mëmë, të cilin e kishim të ndaluar me dekada të tëra, prandaj, ju duhet të jeni krenar dhe të bëheni të fortë”, tha drejtori Thaçi.
Të gjithë maturantët, janë të varrosur në “Lëndinën e lotëve” afër varrezave të lagjes së Gurit në Malishevë, ndërsa në nderim të kësaj tragjedie, është ndërtuar një lapidar në vendin ku janë të varrosur, ndërsa shteti shqiptar, në vendin e ngjarjes, ka ngritur një obelisk në shenjë nderimi të 15 maturantëve./Insajderi.com