Situata me COVID-19 është përkeqësuar ditëve të fundit në vend, dhe nga QKUK kanë deklaruar se janë fare pranë kolapsimit, por megjithatë është vendosur që të hapet Pishina e Gërmisë për qytetarët, njofton Insajderi.
“Nga sot pishina e Gërmisë hap dyert nga ora 10:00 për të gjithë qytetarët”, thuhet në njoftim.
“Menaxhmenti i Ndërmarrjes Publike ‘Sport Marketing’ ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të respektuar rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë për parandalimin e përhapjes së coronavirusit”.
“Sport Marketing” thotë se do të vazhdojë të mbajë të mobilizuar stafin menaxhues dhe infrastrukturën mbështetëse për të qenë gjatë gjithë sezonës verore të përgatitur.
Në pishinë janë angazhuar edhe stafi professional, duke filluar nga sigurimi fizik, shpëtimtarët, autoambulanca me mjekun dhe teknikun, si dhe mirëmbajtësit./Insajderi.com