“Përleshje sporadike” – Presidenti pranon se ka vëlla problematik që herë pas here përfshihet në përleshje

“Përleshje sporadike” – Presidenti pranon se ka vëlla problematik që herë pas here përfshihet në përleshje

Presidenti ka tentuar të zbusë sulmin që vëllau i tij, Gani Thaçi ia ka bërë dy drejtuesve të Byrosë Kosovare të Sigurimeve.

Insajderi gjatë ditës ka raportuar se Gani Thaçi ka sulmuar Blerim Pushkolli dhe Ganni Sokoliq.

Por gjithë këtë sulm presidenti i vendit e ka cilësuar si një përleshje sporadike. Megjithatë ai ka bërë thirrje te intitucionet që të veprojnë sipas ligjit.

“Jam njoftuar për përfshirjen e vëllait tim në një përleshje sporadike fizike. Asnjëherë nuk do ta arsyetoj asnjë veprim të kundërligjshëm të askujt, aq më tepër në një rast si ky. Të qenit familjar i një zyrtari të lartë nuk nënkupton imunitet dhe amnisti për askënd. Përkundrazi. Përgjegjësia është individuale. I ftoj organet e rendit që ta trajtojnë rastin në përputhje me ligjin. Vetëm kështu ndërtojmë shtet ligjor, në të cilin të gjithë jemi të barabartë para ligjit dhe drejtësisë”, ka shkruar Thaçi në facebook.

Por Thaçi duket se e ka pranuar që vëllau i tij herë pas here përfshihet në përleshje të ndryshme.

Fjala sporadike nënkupton ndonjë veprim që shfaqet herë pas here, dhe atë në mënyrë të rastësishme.

Ndryshe Insajderi gjatë ditës ka tentuar të marrë një përgjigje nga Prokuroria se çfarë vendimi ka marrë ndaj vëllaut të Thaçit, por ata nuk kanë kthyer përgjigjë. /Insajderi.com