Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka njoftuar se nuk ka asnjë të dhënë për viktima ose të lënduar nga radhët e bashkatdhetarëve tanë që jetojnë në Gjermani, Belgjikë, Holandë, Luksemburg dhe Zvicër, vende këto që po përballen me përmbytje dhe vërshime nga të reshurat.
Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate për medie, nga MPJD.
“Nga raportet e misioneve të Kosovës në këto shtete, deri sot në mesditë (e premte, ora 12:00), është kontaktuar në dy raste Ambasada e Kosovës në Berlin si dhe Konsullata e Përgjithshme në Dyseldorf, të cilat kanë arritur të asistojnë në dy raste në identifikimin e një familjeje dhe një personi tjetër, të cilët kishin rezultuar të humbur në rajonet e prekura nga përmbytjet”, thuhet në komunikatë.
Tutje, thuhet se “Për të dy rastet ambasada dhe konsullata e Kosovës kanë qëndruar në kontakt me autoritetet gjermane si dhe familjarët e personave në Kosovë deri në identifikimin e tyre, dhe sigurimin që janë në gjendje të mirë shëndetësore”.
“MPJD-ja do të informojë në vazhdimësi opinionin publik lidhur me situatën dhe zhvillimet në raport me pjesëtarët e mërgatës sonë, në të gjitha zonat e përmbytura në Evropën Perëndimore”, thuhet në komunikatë.
Tutje thuhet se, “MPJD-ja shpreh ngushëllime për humbjen e jetëve të njerëzve nga kjo katastrofë natyrore dhe uron shërim të shpejt për të lënduarit me shpresën se nuk do të ketë humbje të tjera jetësh”./Insajderi.com