Përplasen Gashi dhe Kusari Lila në kuvend për Mini – shengenin

Përplasen Gashi dhe Kusari Lila në kuvend për Mini – shengenin

Shefi i grupit parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, dhe deputetja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, janë përplasur rreth çështjes së nismës rajonale tashmë të njohur si mini-shengen, njofton Insajderi.

Në seancën e Kuvendit ku kryeministri Avdullah Hoti është thirrur në interpelancë që të përgjigjet lidhur me këtë çështje, Gashi tha se vazhdojnë të kenë hezitime sa i përket përfshirjes së Kosovës në mini-shengen, por që këtë do ta trajtojnë në fazën fillon të ndërtohet struktura e tij.

Tutje, Gashi ka thënë se kjo senacë që po diskutohet sot, është pasojë e paaftësisë së kryeministrit të kaluar.

“Të mos i jepet zjarrë shumë kësaj situate duke parë si mundësi për një grusht vota nesër. Të mos krijojmë panik sot për disa vota nesër, sepse ne duhet të krijojmë gjendje sot për përfitim të shtetit tonë sot dhe nesër. Kjo ideja e thirrjes së këtyre seancave për të krijuar një zhurmë si rezultat i pamundësisë dhe paaftësisë së kryeministrit të kaluar që merret me këto çështje duhet të thuhet si e tillë, ka qenë i paaftë dhe i paguximshëm të merret me këto tema dhe është rezultat i paaftësisë dhe paguximit që të merret me këto tema, ka rrezikuar raportet e Kosovës me partnerët ndërkombëtar”, tha Gashi.

Ndaj deklaratave të Gashit ka reaguar deputetja Mimoza Kusari-Lila, e cila ka thënë se nuk do të ndalemi së kërkuari përgjigje nga Hoti dhe Mustafa për mini-shengenin

“Thotë se ne këtu sot për një grusht vota po kërkojmë llogari prej qeverisë, nëse e keni problem sistemin e vendimmarrjes, shtyllat e shtetit Kuvendin e Qeverinë nuk duhet të jeni në Qeveri. Kuvendi është vendi ku Qeveria vjen dhe jep llogari, përderisa nuk marrim përgjigje nga zoti Avdullah Hoti dhe nga zoti Isa Mustafa se çka ka ndodh në ndërkohë që kanë ndërruar diametralisht qëndrimet e tyre për mini-shengenin e nisur në Novi Sad, nuk do të ndalemi së reshturi duke kërkuar përgjigje në Kuvend dhe çdo kund tjetër”.

Kusari-Lila foli për kohën e saj sa ishte ministre e Tregtisë, ndërsa Gashi ju përgjigj duke thënë se Kusari-Lila në bashkëqeverisjen me Hashim Thaçin i kanë bërë të zeza Kosovës.

“Më vjen mirë që po e dëgjoj zonjën Kusari që po fol me krenari për bashkëqeverisjen me zotin Thaçi dhe për mënyrën se si ja kanë bërë të zezat bashkë këtij vendi”./Insajderi.com