Kryeministri Avdullah Hoti i ka reaguar deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje Mefail Bajqinovcit i cili paraprakisht tha se kryeministri është intervistuar nga Task-Forca Antikorrupsion, njofton Insajderi.
Ai ka thënë se nuk është problem ristrukturimi i Task-Forcës Antikorupsion, por qasja në të dhënat e kësaj Task-Force që Bajqinovci mund të ketë pasur.
“Ju si deputetë të Kuvendit të Kosovës keni fuqi ligjore dhe kushtetuese që ta mbikëqyrin krejt procesin. Ne e kemi marrë një vendim dhe deri në kohën kur riorganizohet komplet Policia e Kosovës në përputhje me ligjin, sepse në vitin 2019 nuk është bërë në përputhje me ligjin, Task Forca vazhdon punën ashtu siç ka qenë”.
“A e di cila është e vërteta dhe cili është shqetësimi që duhet të jetë shqetësim për secilin deputet këtu në sallë dhe për të gjithë? Fjalimi yt. A e di pse? Unë jam Kryeministër i Republikës së Kosovës, por unë nuk kam qasje, sepse nuk guxoj sipas ligjit, dhe nuk i di këto informata. Një deputet i Kuvendit të Kosovës thotë se i kam të dhënat e sigurta nga puna e Task-Forcës – ky është problemi. Një njeri i politikës ka qasje të plotë në ato të dhëna”.
Hoti ka qenë i ashpër, si rrallë herë, ka thënë se argumenti më i fuqishëm për ristrukturimin e kësaj Task-Force është vetë fjalimi i deputetit Bajqinovci.
“Nëse ke qasje aty, ky është problemi dhe ky është argumenti më i fuqishëm se pse duhet të bëhet ristrukturimi kjo dhe të bëhet në përputhje me ligjin dhe të ndalet kjo mundësi që as kryeministri, ministri, apo deputeti qasje – përveç kur i thërret Task Forca si të dyshuar, apo dëshmitarë. Ky është problemi fondamental i kësaj shoqërie – njerëz si ti që kanë qasje në ato të dhëna prej bankës së deputetit si politikan”.
Edhe Bajqinovci ka qenë i ashpër, derisa i ka thënë shefit të qeverisë “mos shpif” duke insistuar se krejt çfarë ka thënë në fjalimin e tij paraprak janë publike.
“Nuk është e vërtetë kjo që the, pra shpife. Ke qenë publik në media më 14 mars kur je intervistuar, prandaj të lutem si kryeministër mos shpif. Edhe më 4 mars është marrë në pyetje ministrja juaj Hykmete Bajrami në cilësinë e dëshmitares. Mos shpifni. Të gjitha që i thashë janë publike, pra kryeministër mos shpif”./Insajderi.com