Në studio të emisionit Pressing, ku po bisedohet për raportet e shqiptarëve me Perandorinë Osmane dikur dhe Turqinë e sotshme, ka pasur edhe përplasje me fjalë mes të ftuarëve, njofton Insajderi.
Profesori i filozofisë politike, Blerim Latifi, dhe hoxha nga Drenasi, Osman Musliu, e kanë fyer njëri tjetrin.
Teksa Latifi po shpjegonte problematikën e ndikimit turk në Kosovë, hoxhë Musliu ka ndërhyrë duke thënë “Lëreni së ky është i sëmur”.
Pas kësaj ndërhyrje, Latifi është kundërpërgjigjur në drejtim të Musliut, duke i thënë “nëse unë jam i sëmur, ti je hajvan”.
Këtë deklaratë të Latifit, Musliu nuk e ka pranuar dhe ka kërkuar që “profesori i filozofisë të tërheqë fjalën ose në të kundërtën e pengoj emisionin”.
Përplasjen mes dy të ftuarave e ka ndalur moderatori i emisionit, Leonard Kërquku.
Në fund Latifi e ka tërhequr fjalën e tij dhe ka kërkuar falje publikut për gjuhën e përdorur./Insajderi.com