
Takimi konsultativ mes partive politike nuk ka kaluar edhe aq qetë. Qysh në fillim përfaqësuesi i PDK-së (koalicioni PAN), Enver Hoxhaj e mori fjalën. Ai propozoi 24 gushtin si datë për mbajtjen e seancës së radhës për të cilën tha se koalicioni PAN do të marrë pjesë.
Kjo ma bërë që të reagojë kryesuesi i takimit, Adem Mikullovci, i cili kërkoi nga koalicioni PAN që propozimin për datën e seancës ta bëjnë përmes kërkesës me shkrim.
“Qysh me ju besu që ju keni me marrë pjesë në seancën e 24 gushtit?. Kërkoj që kërkesën ta bëni me shkrim”, ka thënë Mikullovci.
Shqetësim të njëjtë patën edhe disa përfaqësuesit e koalicionit LAA. Ata kërkuan garanci që koalicioni PAN do të jetë i pranishëm në seancën e 24 gushtit.
Këto deklarata të përfaqësuesve politikë kanë bërë që të reagojë përfaqësuesi i PAN-it, Enver Hoxhaj.
“Kush jeni ju që nuk na besoni? Tek e fundit, ne nuk ju japim llogari juve, por qytetarëve. Bëni këtë dallim”, ka thënë ndër tjera Hoxhaj gjatë replikës së tij me kryesuesin Mikullovci dhe përfaqësuesit tjerë të partive nga koalicioni LAA.
Kurse Korab Sejdiu nga AKR-ja (koalicioni LAA), i ka thënë Hoxhajt se këtë mosbesim e kanë krijuar vetë ata me bojkotimin e seancave konstituive.
“Këtë mosbesim e keni kriju vetë ju”, ka thënë ndër tjera Sejdiu.
Takimi konsultativ ka përfunduar pas shumë përplasjeve dhe konsultimeve, me propozimin që seanca e radhës të mbahet më 24 gusht.
Kryesuesi i saj Adem Mukullovci ka thënë se seanca e 24 gushtit po caktohet, jo vetëm si propozim i koalicionit PAN, por edhe si rrjedhojë e konsultimeve me partitë tjera.
Në këtë takim nuk kanë marrë pjesë përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje./Insajderi.com