Kur deputeti i PDK-së, Shaip Muja, mori fjalën dhe doli në foltoren e Kuvendit të Kosovës për të ripërsëritur qëndrimet e tija të bëra publike muaj më parë kundër Qeverisë e cila ra sot, ai tha edhe diçka të re: e quajti PDK-në akademi.
Përfundimisht PDK mbetet akademi politike për shumë kë në Kosovë. Pse mbetet. Nëse ktheheni me akademikët si Hivzi Islam që rren për territorin, e për mercenarët sikur Tomor Qela..”, tha Muja i cili u pengua nga kryetari i partisë së tij Kadri Veseli.
“Të lutem emra që janë jashtë sallës mos përmend të lutem”, tha Veseli.
Por ajo që pasoi mes fjalës së Mujës që vazhdonte dhe Veselit që e pengonte nxjerr diçka tjetër.
Veseli në një moment kritikon Akademinë, por nuk dihet nëse i referohet “Akademisë së PDK-së” apo “Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës”.
“T’lutem lëre se edhe akademinë e kena bo fet qysh ka thënë Jakupi para disa viteve”, thotë Veseli.
E Jakup Krasniqi ka folur për të dyja “akademitë”.
Për atë të Shkencave dhe Arteve ka shkruar vite dy vite më parë një kolumne në të cilën ka akuzuar ASHAK-un se “po heshte karshi shumë gjërave të këqija që i ndodhin vendit”.
Ndërsa “akademinë e PDK-së” që iu referua Muja, Krasniqi në një intervistë me “Tribuna Channel” të realizuar në dhjetor të vitit të kaluar, teksa fliste për PDK-në, e quante këtë parti “shkollë të UDB-së serbe”.
“Kjo është realisht një shkollë që duhet ta quajmë shkolla Pronto dhe e cila mund të krahasohet me politikën e Gebelsit, Stalinit, Tankoviqit dhe Millosheviqit. Dhe sigurisht është një shkollë e UDB-së”, kishte thënë Krasniqi.