Përplasja që largoi LDK-në e VV-në nga marrëveshja për bashkëqeverisje

Përplasja që largoi LDK-në e VV-në nga marrëveshja për bashkëqeverisje

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, assesi të ofrohen për të arritur marrëveshje për koalicion qeverisës.

Teksa Albin Kurti ia ka ofruar edhe një ofertë LDK-së për bashkëqeverisje, zyrtarë të lartë të LDK-së kanë dalë hapur kundër koalicionit me VV-në, në formën që po duan në partinë e Kurtit, shkruan Gazeta Insajderi.

Goditje të madhe ofrimit të dy subjekteve për t’u pajtuar që të lidhin marrëveshje për bashkëqeverisje, i ka dhënë mbrëm nënkryetari i LDK-së Agim Veliu, me anë të një statusi në rrjetin social Facebook.

Ai pos Vetëvendosjen, në formë indirekte ka goditur edhe eksponentë brenda LDK-së me theks të veqantë Vjosa Osmanin, e cila është më aktivja për një koalicion mes LDK-së dhe Vetëvendosjes.

Veliu e quajti përpjekje jo serioze veprimin e fundit të VV-së, për bashkëqeverisje me LDK-në.

“E tërë kjo është një përpjekje e VV-së për pushtet absolut dhe për ta nënshtruar e nënçmuar LDK-në, duke provuar t’ia nëpërkëmbin dinjitetin. Madje, kërkesat e sotme të VV-së shkojnë edhe më larg, në synimin e tyre që LDK të shkëputet nga e kaluara e saj europiane dhe euroatlantike. Nga cila e kaluar duan ata të shkëputemi? Mbase duan që të distancohemi edhe nga rugovizmi. Kjo përpjekje e tyre sigurisht që është e dështuar dhe nuk duhet ta ndihmojë askush prej nesh”, kishte shkruar Veliu.

Vetëm pak pas Veliut, me anë të një statusi kishte reaguar edhe kolegia e tij, Vjosa Osmani, e cila mbronte Vetëvendosjen, duke thënë se ishte e vetmja që i doli në ndihmë LDK-së kur ish PAN-i dëshironte zhbërjen e Gjykatës Speciale.

“Ishte vetëm një parti që i doli në krah përpjekjeve të LDK-së atë ditë: Lëvizja Vetëvendosje. Atë mbrëmje, për këdo që e kupton politikën drejtë, është ndërtuar koalicioni i shpresës. Atë ditë, është rikonfirmuar orientimi pro-perendimor dhe euro-atlantik i vendit tonë. Atë nuk e bëri LDK-ja vet, e as LVV-ja vetë…por e bënë LDK dhe LVV bashkë, me bekimin e miqve tanë ndërkombetarë”, theksonte Osmani, në kundërpërgjigjën ndaj kolegut të tij të partisë.

E, gjithë këtë përplasje mes krerëve të LDK-së, analisti Imer Mushkolaj po e sheh si përplasje mes gardës së vjetër të kësaj partie dhe atyre që janë pro bashkëqeverisjes me Vetëvendosjen e Kurtit.

Mushkolaj për Gazetën Insajderi ka thënë se qëndrimi i Veliut më shumë ishte i drejtuar kah bashkëpartiakja e tij, Vjosa Osmani, se sa kah Lëvizja Vetëvendosje.

“Qëndrimi i Veliut më tepër se sa drejt VV-së, unë e kam parë të drejtuar ndaj Vjosa Osmanit dhe mundësisë për të arritur koalicionin. Tashmë nuk është fshëhtësi se LDK është e përqartë sa i përket arritjes së marrëveshjes për koalicion me VV-në dhe kundërshtohet nga garda e vjetër e kësaj partie. Unë mund ta kuptojë, s’po them ta arsyetoj, por ta kuptoj se mos të harrojmë se LDK-ja ka qenë dhe është pjesë e sistemit të cilin e ka ndërtuar vet dhe natyrisht këta njerëz të rëndësishëm të LDK-së do të humbin privilegjet dhe interesat po që së formohet koalicioni me VV-në, ose të paktën këshjtu ata besojnë”, thotë Mushkolaj.

Përplasjet mes zyrtarëve të lartë të LDK-së, sipas Mushkolajt, e vështrirësojnë tej mase krijimin e një zëri të dhëndoshë dhe të arsyeshëm brenda partisë së Isa Mustafës.

“Është jashtëzakonsit vështirë që të krijohet zëri i shëndoshë i arsyet brenda LDK-së që të krijohet ky koalicion për të cilin në fakt LDK përmes Vjosa Osmanit edhe i ka marrë votat. Është qështje tjetër nëse pajtohet ose nuk pajtohet me ofertën e VV-së, pazarët që i bëjnë rendom partitë politike, por unë po flas për parimin pse këta njerëz janë kundër koalicionit me VV-në”, shprehet Mushkolaj.

Në përplasjen e brendshme dhe refuzimin e gardës së vjetër për të lidhur koalicion me Vetëvendosjen, Mushkolaj thotë se një rol të rëndësishëm e ka edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ani pse në mënyrë të heshtur dhe jo në cilësinë e kreut të shtetit.

Kjo për faktin se kreu i vendit ka një miqësi me një numër të madh të krerëve të LDK-së, e një prej tyre është edhe Agim Veliu.

Refuzimi i LDK-së për të arritur marrëveshje me Vetëvendosjen për bashkëqeverisje, mund ta dërgojë vendin në zgjedhje tjera, ende pa u formuar institucionet e reja pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019.

Një situatë e tillë mund të ndodhë për faktin se dështimi i marrëveshjes mes VV-së e LDK-së, thuajse mbyllë opsionet tjera, meqë partia e udhëhequr nga Kurti, ka vënë vija të kuqe me partitë tjera, PDK-në, AAK-në e Nismën për të lidhur një marrëveshje për koalicion qeverisës.

Shkuarja në zgjedhje të reja ende pa u formuar institucionet pas zgjedhjeve të mbajtura me 6 tetor 2019, bën përgjegjës dy partitë që dolën të parat në këto zgjedhje, LDK-në e VV-në.

“Nëse shkohet në zgjedhje, atëherë duhet të bëhet e qartë se po shkohet për shkak të mos akomodimit të mjaftueshëm të apetiteve të LDK-së në radhë të parë, por edhe të Vetëvendosjes në anën tjetër”, thotë Mushkolaj.

Megjithatë, pavarësisht përplasjeve të brendshme dhe refuzimit të nënkryetarit të LDK-së, Agim Veliu për të lidhur koalicion me Vetëvendosjen, subjekti që fitoi zgjedhjet për herë të parë, po pret që partia e Isa Mustafës t’i thotë PO ofertës së Albin Kurtit.

Anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë për Gazetën Insajderi se shpresojnë që Lidhja Demokratike e Kosovës t’ua kthejë nëj përgjigje pozitive në ofertën e tyre për marrëveshje për koalicion qeverisës.

“Ne jemi në pritje të përgjigjes së LDK ndaj ofertës tonë. Nuk e di se kur saktësisht do t’i pergjigjen dhe as se cili do të jetë qëndrimi i tyre. Uroj që të kemi përgjigje pozitive në menyre që sa më parë të nisim me punet e medha e të shumta qe po na presin”, ka thënë Haxhiu, për Insajderi.

Gjatë ditës së sotme krerët e Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë diskutuar ofertën e Albin Kurtit, të cilën ua ka dërguar të dielen në mbrëmje.

LDK-ja me shkrim ia ka dërguar Lëvizjes Vetëvendosje përgjigjen në ofertën e tyre, duka ia bërë të qartë VV-së se e duan kryeparlamentarin, presidentin dhe 5 ministri. /Insajderi