Përse po e lejojmë industrinë e mbrojtjes të rrëmbejë BE-në?

Apostolis Fotiadis

Përse po e lejojmë industrinë e mbrojtjes të rrëmbejë BE-në?

Prej tre vjetësh, Bashkimi Europian, i krijuar për të promovuar paqen dhe mirëkuptimin, i është nënshtruar një rrëshqitjeje të thellë drejt militarizimit dhe “fuqisë së forte”. Europianëve po u shërbehet një rrëfenjë intensive mbi detyrën e kontinentit të vjetër për t’u përballur me sfidat e jashtme: fërkimet me Rusinë, tërheqja e SHBA-së nga NATO dhe ngritja e Kinës si forcë gjeopolitike. Por kjo histori ka shërbyer për të legjitimuar një axhendë militarizuese e cila, larg syve të publikut, po vendoset dhe shtyhet nga interesat e industrisë së mbrojtjes dhe “brohoritësit” e tyre politikë.

Vendet në Skandinavi dhe Europën qendrore e lindore, përfshirë shtetet e Balltikut, Poloninë, Rumaninë, Finlandën dhe Suedinë, i kanë rritur që të gjithë shpenzimet ushtarake si pjesë e kësaj “zvarritjeje” drejt armatimit dhe organizimit për një përdorim të mundshëm të forcës vdekjeprurëse. Vendet kryesore të Europës Perëndimore e kanë mbajtur të qëndrueshëm raportin vjetor të shpenzimeve ushtarake ndaj GDP-së, por të paktën katër prej tyre janë në mënyrë të qëndrueshme në mesin e shpenzuesve më të mëdhenj ushtarakë në botë.

Vitin e kaluar, Franca shpenzoi 57.2 miliardë euro, Gjermania 44.4 miliardë, Italia 25 miliardë dhe Spanja 16 miliardë. Në Mbretërinë e Bashkuar, shpenzimet e mbrojtjes arritën 50 miliardë euro. Për krahasim, Rusia, sipas bazës së të dhënave të Institutit Ndërkombëtar të Kërkimit të Paqes në Stokholm, harxhoi 55 miliardë euro. Shumat e mëdha që po i kushtohen ruajtjes dhe ngritjes së aftësisë ushtarake të vendeve të BE-së, vijnë në një kohë kur, me Brexit-in dhe hovin që ka marrë nacionalizmi në vendet e mëparshme të perdes së hekurt, BE-ja vetë nuk është shfaqur kurrë më e dobët se kaq.

Dhe në fakt, ishte si përgjigje ndaj kësaj dobësie të perceptuar që presidenti në largim i komisionit europian, Jean-Claude Juncker, paraqiti nëntorin e 2016-tës planin e tij të veprimit për mbrojtjen europiane, në zemër të të cilit qëndronte rigjenerimi i industrisë së mbrojtjes së bllokut. Si rezultat i këtij procesi, i cili është rrëmbyer në fakt nga lobistët e industrisë së mbrojtjes, u krijua një fond europian i mbrojtjes (EDF) dhe një mekanizëm financiar i quajtur “objekti europian i paqes”.

E para ka për qëllim të financojë kërkimin dhe zhvillimin, e dyta operacionet e mbrojtjes të BE-së. Kostoja neto për buxhetin e BE është afër 25 miliardë euro, ndërsa EDF mund të plotësohet me dhjetëra miliardë më shumë nga qeveritë anëtare. Dinamika e militarizimit është përhapur ngadalë dhe në sektorë të tjerë të politikave të rëndësishme, përfshirë ndihmën për zhvillim dhe kontrollin e kufijve.

Një fond i integruar i menaxhimit të kufijve dhe një fond i brendshëm i sigurisë do të vënë miliarda të tjera në dispozicion të policisë kombëtare dhe rojeve të kufirit, forca këto që duken sot më të militarizuara. Frontex, agjensia kufitare dhe bregdetare e BE-së, e cila kontribuon në kontrollin e Mesdheut për emigrantët e padëshiruar, po kthehet në një super-agjenci prej 10 miliardë eurosh. Epokës së një Europe që udhehiqte përmes shembullit po i vjen fundi, e sot ky shembull, është zëvendësuar me fuqinë e fortë./Marrë nga The Guardian – Përktheu Gazeta SHQIP