Përse u liruan Sabit Berisha dhe Lirije Luzha nga akuza në rastin “Syri i Populli”?

Përse u liruan Sabit Berisha dhe Lirije Luzha nga akuza në rastin “Syri i Populli”?

Prokuroria Speciale e Kosovës, sot ka hequr dorë nga ndjekja penale për dy të akuzuarit në rastin e njohur si “Syri i Popullit”, Lirije Luzha dhe Sabit Berisha.

Prokurori i rastit Sylë Hoxha, ka thënë se për dy të akuzuarit nuk është vërtetuar se e kanë kryer veprën penale me të cilën akuzohen.

“Ju njoftoj se në mungesë të provave unë hjek dorë nga ndjekja penale për të akuzuarit Lirije Luzha dhe Sabit Berisha. Kurse, për të akuzuarit e tjerë në bazë të mbajtjes së seancave gjyqësore konsideroj se nga shqyrtimet gjyqësore në këtë gjykatë, nga dëgjimi i dëshmtiarëve të shumtë të cilët janë dëgjuar pranë këtij trupi gjykues konsideroj se dëshmitë e dëshmitarëve dhe me analizimin e shkresave të lëndës konsideroj se aktakuza ndaj të akuzuarve është vërtetuar në tërësi”, ka thënë Hoxha.

Për çka akuzoheshin Sabit Berisha dhe Lirije Luzha?

Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë ndaj Sabit Berishës, Lirije Luzhës si dhe tetë të akuzuarve të tjerë, ku i ngarkon me vepra të rënda penale deri tek përgatitja e veprave terroriste e kundër rendit kushtetues të Kosovës.

Madje, sipas aktakuzës kjo organizatë planifikonte atentate edhe ndaj krerëve të shtetit, bile kishin hartuar edhe një listë ku përfshihej Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeu i LDK-së Isa Mustafa, Kreu i PDK-së Kadri Veseli, kreu i AKR-së Behgjet Pacolli, e shumë figura të tjera të njohura në Kosovë.

Mirëpo në seancën e sotme nga gjithsej dhjetë të akuzuar sa janë, vetëm Sabit Berisha dhe Lirje Luzha janë liruar nga ndjekja penale. Ndërkaq, për tetë të akuzuarit e tjerë Sadri Ramabaja, Murat Jashari, Ragip Sallova, Avni Llumnica, Bexhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, dhe Rexhep Topllana është duke vazhduar seanca përfundimtare, ku pritet të ipet vendimi përfundimtar nga palët në procedurë./Insajderi.com