Në kuadrin e librave alternativ për shkollat fillore dhe të mesme, ku trajtohen historia e popujve të Gadishullit Ballkanik, që nga koha e sundimit osman e deri në ditët tona, në përmbajtjen e këtyre teksteve janë vërejtur shtrembërime të shumta të fakteve historike, njofton Insajderi.
Nga njëra anë shume ngjarje historike të shqiptarëve janë fshehur duke mos u përmendur fare ose janë minimizuar duke ua mohuar peshën reale që kanë pasur në proceset politiko -shoqërore të Gadishullit Ballkanik, dhe nga ana tjetër, historia e serbëve është glorifikuar maksimalisht duke i paraqitur si motori kryesor i zhvillimeve progresiste për popujt e Ballkanit.
Një nga dimensionet ku historia është shtrembëruar në mënyrë brutale, është edhe një pjesë ku portretizohet gruaja shqiptare dhe ajo serbe.
Në kundërshtim të plotë më faktet historike, profili i gruas shqiptare në fillim të shek. XIX, përshkruhet shumë keq, duke e paraqitur atë vetëm si objekt i burrit dhe si e tillë kryen vetëm shërbime.
Gjithmonë sipas këtij teksti, gruaja shqiptare ishte vetëm objekt e cila mundësonte stabilitet shoqëror për të krijuar familje duke ofruar shërbime seksuale për riprodhim, por që për nga niveli i vetëdijes, nuk e tejkalonte asnjëherë nivelin e një kafshe.
I gjithë ky përfytyrim, për profilin e gruas shqiptare është i bazuar nga një e dhënë e vetme të cilën na e sjellë udhëpërshkruesi anglez, Broughton. Por, injorohet fakti që me dhjeta udhëpërshkrues tjerë evropianë, pozitën dhe nivelin e gruas shqiptare e shohin ndryshe, duke e vlerësuar lart dhe duke i vënë në pah virtytet e saj, ose të paktën nuk e bëjnë dallimin nga niveli kulturor i grave tjera, si serbe, bullgare, greke etj.
Nga ana tjetër, glorifikimi i gruas serbe, duke e përshkruar si portreti i gruas më të emancipuar nga të gjitha gratë e kombeve tjera, është një hallkë më tepër në përpunimin e mitit të racës superiore serbe karshi popujve tjerë ballkanik. Pra, i gjithë emancipimi kombëtar serb vjen si pasojë e nivelit të lartë të gruas serbe, si origjinë e suksesit kombëtar. Ky pretendim bije ndesh me faktet historike, ku dihet mirëfilli nga studime serioze për historinë e Ballkanit, se ambienti social ballkanik brenda asaj Perandorie Osmane ishte në nivele të ulëta emancipimi dhe dallimet mes etnive pothuajse nuk ekzistonin fare.
Autorë si Misha Gleny, Georges Castellanes e Ferdinand Shchevild e vënë në pah këtë fakt në studimet e tyre mbi Historinë e Ballkanit./Insajderi.com