Përshpejtohen bisedimet për Qeverinë e re në Maqedoninë e Veriut

Përshpejtohen bisedimet për Qeverinë e re në Maqedoninë e Veriut

Rrjedhin afatet për formimin e shumicës së re parlamentare dhe Qeverisë së re në Maqedoninë e veriut, për shkak të së cilës negociatat midis partive politike që fituan vende parlamentare po zhvillohen me një ritëm të përshpejtuar.  Të gjithë pohojnë se bisedojnë, por deri më tani askush nuk ka dhënë detaje rreth rrjedhës së negociatave dhe nëse ka ndonjë progres.

LSDM sot përmes një komunikate informoi se i vazhdon bisedimet përformimin e shumicës stabile parlamentare dhe koalicionit qeveritar me mandat të plotë dhe stabil katërvjeçar. Jemi të përkushtuar në prosperitetin dhe stabilitetin afatgjatë të Maqedonisë së Veriut, thonë nga kjo parti duke shtuar se është e qartë se vendi nuk ka alternativë tjetër të integrimit përveç anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian (BE).

“Në bisedimet me partinë politike BDI, jemi plotësisht të pajtimit për respektimin e Marrëveshjes së Prespës me Greqinë, Marrëveshjen për miqësi dhe fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Bullgarinë dhe Marrëveshjen kornizë të Ohrit. Jemi të angazhuar për kohezionin shoqëror, shoqëri të fortë dhe tolerante, shtetin e së drejtës dhe jemi dakord të kundërshtojmë të gjitha format e nacionalizmit dhe urrejtjes. Diskutuam se programi i mundshëm i përbashkët qeveritar duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe programet zgjedhore të LSDM-së dhe BDI-së”, thuhet në komunikatën e partisë.

Pas konstituimit të Kuvendit pesë ditë më parë, PDSH komunikoi se në një takim të liderit të saj Menduh Thaçi me Zoran Zaevin, LSDM u ka ofruar atyre që të jenë pjesë e koalicionit të ri qeveritar. Partia Demokratike e Shqiptarëve në përgjithësi pajtohet të jetë pjesë e qeverisë, por u dakordua për të krijuar grupe pune të kryesuara nga sekretarët e dy partive për të rënë dakord për hollësitë.

Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 15 korrik, përbërja e re parlamentare u konstituua katër ditë më parë dhe filloi afati 10-ditor për formimin e shumicës parlamentare, pas së cilës Presidenti duhet të japë mandatin për të formuar Qeverinë. Mandatari, në afat prej 20 ditëve nga dita e besimit të mandatit, dorëzon program në Kuvend dhe propozon formim të Qeverisë. /Insajderi.com/