Personi i arrestuar për avullimin e dy milionë eurove punon në Thesarin e Shtetit që 11 vjet – zbulohet identiteti i tij

Personi i arrestuar për avullimin e dy milionë eurove punon në Thesarin e Shtetit që 11 vjet – zbulohet identiteti i tij

Është bërë e ditur edhe identiteti i personit që është arrestuar nën dyshimin se ka transferuar para në vlerë mbi dy milionë euro.

Sipas burimeve të Gazetës Online Insajderi, personi i arrestuar është zyrtar i pagesave në Ministrinë e Financave, me inicialet L.G., si dhe te tjerët janë pjesëtarë të brendshëm të Ministrisë, por që ende nuk dihet.

Për zhdukjen e këtyre mjeteve ministrja e Financave, Hikmete Bajrami, ka mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme për media, ku ka thënë se personi i arrestuar është zyrtarë i cili punon në Thesarin e Shtetit prej 11 vjetësh, ndërsa një tjetër zyrtar është në arrati.

’Dy zyrtarë janë suspenduar, me rastin po punojnë edhe ministria e inteligjencës financiare për ta hetuar këtë transaksion”, ka thënë ajo.

Bajrami tha se këto mjete janë tërhequr përmes bankës, dhe jo kesh, derisa tha se financat e shtetit ndodhen në BQK dhe janë të sigurta, kurse për rastin nuk mund të jep më shumë detaje, meqë nuk duhet të dëmtohet hetimi.

‘’ Nuk është mjete kesh, por nga llogaria përmes llogarive të tjera, përndryshe mjetet tjera janë në BQK dhe janë të sigurta, nuk mund të jap detaje të tjera sepse rasti është në hetim, dhe nuk duam ta dëmtojmë hetimin.’

Edhe nga Policia e Kosovës kanë dhënë detaje të reja lidhur me ngjarjen e mbrëmjes së djeshme, ku janë avulluar dy milionë euro.

Në raportin 24-orësh të Policisë, thuhet se një person është arrestuar mbrëmë meqë dyshohet se bashkë me dy të tjerë, duke përdorur thesarin shtetëror të Republikës së Kosovës kanë transferuar para në vlerë mbi dy milionë euro.

Tutje thuhet se është kërkuar bllokimi i llogarive pasi që dyshohet se një pjesë e parave janë transferuar jashtë vendit.

“Prishtinë 09.10.2020. Me 20.10.2020 23:35 pas hetimeve të zhvilluara është arritur të arrestohet një i dyshuar m/k dhe dy të tjerë gjenden në arrati. Të dyshuarit dyshohet se duke keqpërdorur detyrën zyrtare duke përdorur thesarin shtetëror të Republikës së Kosovës kanë transferuar para në vlerë 2.077.995.90 milion euro. Është kërkuar bllokimi i llogarive pasi që dyshohet se një pjesë e parave janë transferuar jashtë vendit. Janë bërë bastisje të shtëpive të dyshuarve, nuk është gjetur asgjë vetëm është konfiskuar një veturë pronë e njërit nga të dyshuarit. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë. /Insajderi.com