Personi që po e paditë NPB-në për moslejim të shfrytëzimit të lokalit

Personi që po e paditë NPB-në për moslejim të shfrytëzimit të lokalit

Njazi Bajrami, nëpërmes përfaqësuesit të tij, avokatit Muhamet Shala, ka paraqitur para Gjykatës Themelore në Prishtinë, padinë me të cilin kërkon që e paditura, Ndërmarrja Publike  Banesore (NPB), ta lejojë atë që ta shfrytëzojë lokalin lirshëm.

Bajrami, në padinë e tij, pretendon se është pronar legjitim i një lokali afarist në rrugën “Xhorxh Bush”, në Prishtinë nga viti 1964, por që nga 10 janari 2018, ai pretendon se është penguar nga NPB-ja.

Në seancën përgatitore, lidhur me këtë kontest, në të cilin nuk mori pjesë asnjë përfaqësues i NPB-së, përfaqësuesi i paditësit, avokati Shala, theksoi se ata tërhiqen nga propozimi i tyre që për atë objekt të caktohet masa e përkohshme.

Gjatë elaborimit të padisë së Bajramit, avokati Shala deklaroi se paditësi është pronar legjitim i lokalit nga 10 nëntori i vitit 1964, në të cilin vit e ka blerë atë nga Kuvendi Komunal i Prishtinës, konkretisht, nga organi i quajtur, siç thuhet në padi “Këshilli i Rexhisë së Kuvendit”.

“Paditësi është pronar legjitim i lokalit afarist në Prishtinë, para shkollës “Faik Konica”, me sipërfaqe prej 15 metra katrorë. Këtë lokal paditësi e ka blerë në bazë të kontratës mbi shitblerjen nga Kuvendi Komunal i Prishtinës, nga organi Këshilli i Rexhisë së Kuvendit, më 10 nëntor 1964, paditësi asnjëherë nuk ka pasur pengesa juridike dhe faktike, ka qenë në shfrytëzim dhe posedim si pronar deri më 10 janar 2018 ku e paditura pa e poseduar asnjë bazë juridike e pengon posedimin e qetë të paditësit duke e uzurpuar të drejtën pronësore”, tha avokati Shala. /Betimi për drejtësi.

Sipas Shalës, e paditura duke vepruar kundërligjshëm, ka lidhur kontratë me personat e tretë, të cilët në bazë të kontratës mbi qiranë me paditësin, kanë qenë duke e shfrytëzuar atë objekt deri më 10 janar 2018, kur ka skaduar kontrata me paditësin Nazmi Bajrami.

Përfaqësuesi i paditësit, shtoi se ka shkuar në disa takime me zyrtarin ligjor të NPB-së, të cilit i ka treguar për pretendimet e paditësve lidhur me këtë kontest, por sipas Shalës, ata nuk e kanë trajtuar këtë çështje dhe kanë vazhduar ta pengojnë paditësin në shfrytëzimin e lokalit.

Si në padi ashtu edhe në deklarimin e sotëm, avokati Shala deklaroi se ata tashmë kanë bërë edhe kallëzim penal ndaj zyrtarëve të NPB-së, pasi pretendojnë se të njëjtit kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, me faktin siç thotë ai, se të njëjtit kanë marrë një veprim të kundërligjshëm kur kanë nënshkruar një kontratë me palën e tretë për një pronë e cila nuk ka qenë e tyre.

Shala, i propozoi gjykatës që të del në vendshiqim, me një ekspert të fushës së gjeodezisë, propozim i cili u aprovua nga gjykatësja Mevlude Qorri.

Dalja në terren është caktuar më 17 prill 2018.

Sipas padisë së shkurtit të vitit 2018, Nazmi Bajrami më 10 nëntor 1964 dhe nga ai vit deri më 10 janar 2018, nuk është penguar nga askush që ta shfrytëzoi lokalin e blerë.

Paditësi pretendon se NPB-ja, në kundërshtim me ligjin, pa pasur asnjë autorizim ligjor ka lidhur kontratë me personat e tretë, të një prone, pronar i të cilit nuk ka qenë NPB, si e paditur.

Paditësit me këtë veprim pretendojnë se NPB-ja ia ka shkelur të drejtat pronësore paditësit, si të drejta të njeriut, të garantuara me Kushtetutën e Kosovës dhe Konventën Evropiane për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Me padinë e tij, paditësi ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë që të nxjerr aktvendim me të cilin do ta detyronte të paditurën që në afat prej tre ditësh t’ia kthej paditësit lokalin afarist në rrugën “Xhorxh Bush”, në Prishtinë.

Po ashtu, ka kërkuar nga gjykata që paditësit në emër të fitimit të humbur gjatë periudhës, që paditësit pretendojnë se është uzurpuar ai lokal, t’ia kthejnë paditësit shumën e cila do të caktohet në seancën kryesore të kësaj çështjeje.