Nën organizimin e Komunës së Klinës, Asociacioni i Forumit të Intelektualëve “Luigj Gurakuqi” dhe Këshillit të Donatorëve nga Diaspora- Zvicër, për nder të 31 vjetorit të Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë, në qendër të qytetit të Klinës është bërë zbulimi i bustit të atdhetarit e pajtimtarit, profesor Anton Çetës, përcjell Insajderi.
Në këtë organizim kanë marrë pjesë Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Fadil Gashi, nënkryetari, Besim Hoti, përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale përfaqësues të Asociacionit Forumit të Intelektualëve “Luigj Gurakuqi” nga Klina dhe Këshillit të Donatorëve nga Diaspora- Zvicër, mixha Halil Krasniqi, përfaqësues të OVL-UÇK, klerikë fetarë, personalitete të kulturës, politikës dhe qytetarë.
Kryetari Elezaj, ndër të tjera tha se Anton Çeta e atdhetarët tjerë filluan misionin jetësor, pajtimin e shqiptarëve, duke trasuar rrugën e bashkimit të shqiptarëve kundër armikut shekullor dhe lirisë e pavarësisë së Republikës së Kosovës.
“31 vite më parë, me nismën e profesorit, shkrimtarit e njeriut të urtë, Anton Çetës, kishte filluar në gjithë Kosovën një aksion fisnik, humanitar e kombëtar për pajtimin e gjaqeve e ndaljen e vëllavrasjes. Në këtë kohë, kur pushtuesi serb kishte filluar marrjen e masave represive, atdhetarët shqiptarë filluan ngritjen e vetëdijes kombëtare. Viti 1990 bëri bashkë intelektualë, akademikë, studentë, fshatarë e aktivistë, me një mision jetësor e kombëtar, pajtimin e shqiptarëve e ndaljen e hasmërive.”, tha kryetari Elezaj./Insajderi.com