Përveç djalit të sëmurë, familja rrezikon të mbetet pa shtëpi

Përveç djalit të sëmurë, familja rrezikon të mbetet pa shtëpi

Festën e Vitit të Ri familja katër anëtarëshe e Astrit Marajt, 37 vjeçar nga Peja bashkë me djalin e tyre të sëmurë rrezikon ta pres jashtë shtëpisë. Kjo familje jeton në një shtëpi me qira, për të cilën më nuk ka para t’ia paguaj pronarit. Djali katër vjeçar i kësaj familje, Blerondi, 4 vjeç e gjysmë ka probleme me zemër dhe me diabet. E Së fundmi atij i është shfaqur edhe sëmundja e epilepsisë. Babai i Blerondit, Astriti, ka rrëfyer me lot në sy për vështirësitë me të cilat po përballet.

Ka një vit e gjysmë që Blerondi i vogël, tani katër vjeç e gjysmë, endet spitaleve të Kosovës për t’i gjetur kurim sëmundjeve nga të cilat vuan. Gjendja shëndetësore e djalit të Astrit Marajt nga Peja,i është përkeqësuar kur ishte në moshën 3 vjeçare. Ai sa ishte në gjumë kishte mbetur pa ndjenja. Prindërit e kishin dërguar në spital, ku kishte qëndruar për më shumë se një javë. Fillimisht aty ishte diagnostikuar me një sëmundje të zemrës dhe të diabetit apo siç njihet ndryshe sëmundjes së sheqerit. Por, një vit më vonë,  Blerondit i është shfaqur edhe sëmundja e epilepsisë.

Gjendja e tij shëndetësore sa vjen e përkeqësohet, atij tashmë i janë paraqitur edhe tri cista në kokë.  I janë bërë edhe analizat e biposisë, por rezultatet për të njëjtin ende nuk kanë dal. Express, të enjten ka qëndruar në shtëpinë e Astrit Marajt, babait të Blerondit. Ai rrëfen për jetën e vështirë dhe sëmundjen e djalit të tij.

“Unë kam dy fëmijë. Djalin e madh 4 vjeç e gjysmë, Blerondin, e kam të sëmurë. Fillimisht i ka pasur vetëm dy diagnoza, ka pas problem me zemër dhe me diabet. Tash nga diabeti djali ma ka fituar epilepsinë prej epilepsisë i ka edhe tri cista në kokë”, tregon ai.  Për diagnostikimin e sëmundjes së djalit duhet vetëm 2 mijë e 100 euro, para këto të cilat familja e tij nuk i ka. Babai i tij, thotë se një spital në Turqi ka shprehur gatishmëri për trajtimin e 4 vjeçarit.

“ Për të gjitha këto diagnoza shërim po gjejmë vetëm jashtë vendit. Një spital në Turqi rreth këtyre diagnozave mi ka kërkuar 2 mijë e 100 euro vetëm me e konstatu tamam problemin se prej çka po mi vijnë djalit të gjitha këto sëmundje”, thotë ai.

Familja Maraj rrezikon të mbetet jashtë shtëpisë

Përveç sëmundjes së Blerondit, familja Maraj nga Peja përballet edhe me kushte të vështira ekonomike. Kjo familje rrezikon që nga sot të mbetet në rrugë. Kjo ngase nuk kanë para për pagesën e qirasë së shtëpisë në të cilën jetojnë që një vit.

Astrit Maraj, thotë se pronari i banesës i ka kërkuar atij pagesën për qëndrim në shtëpi.

“Gjendjen ekonomike nuk e kemi të mirë në familje. Mua gjithmonë populli më ka ndihmua. Kontrollet mjekësore, të gjitha po kërkojnë kosto.  Problemet e para të djalit me zemër dhe me diabet janë diagnostifiku një vit më parë ka qenë muaji nëntor, e kemi pas në spital ku ka qëndrua disa ditë. Ne  jetojmë vetëm me një ndihmë sociale prej 90 eurove. As shtëpia ku gjendemi nuk është e jona.  Dje e kemi pas afatin për pagesën e qerasë”, rrëfen me lot në sy 37 vjeçari nga Peja.

Ai thotë se qiranë që një vit në këtë shtëpi ia kanë paguar njerëzit e vullnetit të mirë. Tutje tregon se që 4 vite ai bashkë me djemtë dhe gruan e tij i kanë ndërruar plot 14 vendbanime.

“E 14’ta shtëpi që e ndërrojë që 4 vite. Jam lodhë nuk muj ma. Unë nuk kam ma çka të bëjë. Jemi shumë keq, këndej me djalë, këndej me banim, ma nuk kemi çka të bëjmë. Unë nëse më largon pronari i banesës nga këtu, nuk kam më çka të bëjë. Do të dal jashtë bashkë më familjen, me djalin e sëmurë. Nëse ai ka mundësi të më lejojë që të qëndroj deri të nxehet”, vazhdon të tregojë për jetën e vështirë babai i Blerondit 4 vjeçar.

Kërkesat për strehim Astriti ka bërë edhe në Komunën e Pejës

Ndihmë rreth çështjes së banimit kjo familje ka kërkuar edhe në komunën e Pejës. Për këtë punë, kryefamiljari Astrit Maraj, thotë se i ka bërë disa kërkesa por që ende nuk i është gjetur ndonjë zgjidhje.

“Në komunë kam kërkuar që të më ndihmojë për një vendstrehim, i kam kërkua që qiranë të paktën të ma paguajnë, nuk më kanë ndihmua, mi kanë refuzua kërkesat”, thotë ai.

E Gazeta Express, të enjten ka biseduar edhe me drejtorin në drejtorinë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Pejës. Petrit Loci, i ka thënë gazetës se rreth këtij rasti do të mundohet që të gjejë ndonjë zgjidhje.

Loci është shprehur se do të bëjë përpjekje që për këta tre muaj të dimrit komuna t’ia paguaj qiranë në banesën ku jeton kësaj familje.

“Ky rast është i njohur në komunën tonë. Ne do të mundohemi që të gjejmë një zgjidhje afatshkurtër për këtë familje ngase është një rast mjaftë i rëndë social. Për tre muaj do të bëjmë përpjekje për strehim, pas kësaj do të mundohemi t’i sistemojmë në ndërtesën emergjente që është duke u ndërtuar këtu në Pejë”, ka thënë Loci për Express të enjten. Ai ka deklaruar se asnjë qytetarë i Pejës nuk do të qëndrojë në rrugë si pasojë e kushteve të dobëta ekonomike.

E ndërkohë derisa çështja e strehimit të zgjidhet për këtë familje, Astrit Maraj do të duhet të gjejë zgjidhje edhe për shërimin e djalit të tij 4 vjeçar e gjysmë.  Thotë se për këtë punë shpresat i ka vetëm tek populli i Kosovës.

“E 14’ta shtëpi që e ndërrojë që 4 vite. Jam lodhë nuk muj ma. Unë nuk kam ma çka të bëjë. Urojë që vetëm djali të më shërohet’, thotë me lot në sy ai.