Gastronomi i njohur kosovar, Dekorim Sahiti, ka bërë të ditur se të premten është mbyllur për 48 orë kafeneja të cilën ai e drejton, njofton Insajderi.
Sahiti me anë të një postimi në Facebook, ku nuk kurseu gjuhën fyese ndaj institucioneve shtetërore pas aksionit të ndodhur gjatë mbrëmjes së sotme, ka treguar se mbyllja e barit “Studyo” në rrugën “B” të kryeqytetit, ka ndodhur për shkak të masave anti-COVID.
Ndonëse nuk tregoi arsyet e kësaj gjobitjeje nga Inspektorati Sanitar, Sahiti njofton që gjoba ka ardhur në orën 21:40 atëherë kur ishte duke u mbyllur kafeneja.
I pyetur nga Gazeta Online Insajderi për detajet e këtij aksioni të ndërmarrë nga Inspetorati, Sahiti thotë se pavarësisht që kanë qenë prezentë rreth 10 persona, gjoba ka ardhur si pasojë e mosndaljes së muzikës, ani pse kishin edhe pesë minuta kohë.
“Mirëpo, përveç gjobës me para – si dënim për të gjithë, ata vendosën që ta mbyllin krejt lokalin vetëm pse ishin 10 vetë brenda”.
Në shkrimin e publikuar, Sahiti ka kritikuar edhe Qeverinë për ndihmën e dhënë, duke thënë se nuk i kanë mbështetur aspak pavarësisht që kanë pasur shumë humbje që nga fillimi i pandemisë. /Insajderi.com