Pesë gabimet e Agjencisë Kundër Korrupsion në deklarimin e pasurisë të këshilltares së kryeministrit

Pesë gabimet e Agjencisë Kundër Korrupsion në deklarimin e pasurisë të këshilltares së kryeministrit

Agjencia Kundër Korrupsion (AKK) ka gabuar në formularin e publikuar mbi deklarimin e pasurisë së Meliza Haradinaj-Stubllës, këshilltares së kryeministrit Ramush Haradinaj.

Pas raportimit të Insajderit për deklarimin e pasurisë së Meliza Haradinaj-Stubllës në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK), ka reaguar vet këshilltarja e kryeministrit Haradinaj. Ajo ka treguar se AKK i ka shtuar nga një zero shifrave që ajo i kishte dhënë për deklarimin e pasurisë.

Haradinaj-Stublla kishte deklaruar një banesë në vlerë të 60 mijë eurove dhe një veturë të tipit “Range Rover” në vlerë prej 40 mijë eurove. Por, AKK i ka shtuar nga një zero shifrave të dhëna nga këshilltarja e kryeministrit, duke i bërë ato në 600 mijë euro, përkatësisht 400 mijë euro.


Publikimi i deklarimit të pasurisë së Haradinaj-Stubllës në Agjencinë Kundër Korrupsion; (foto: AKK)

Zyrtarja e lartë publike ka kërkuar nga organet e drejtësisë që të ndiqen ligjërisht punonjësit, siç i ka quajtur Haradinaj-Stublla, të papërgjegjshëm të Agjencisë të cilët kanë gabuar në transmetimin e të dhënave reale të pasurisë së saj. /Insajderi.com

Reagimi i plotë i Meliza Haradinaj-Stubllës:

Lexova nga Insajderi një shkrim mbi deklaratën e pasurisë së familjes sime, dhe e hapa me sportivitet lajmin sepse kujtova se aty nuk do të ketë asgjë më shumë se deklarata origjinale e pasurisë që e kam plotësuar vetë!

Nuk doja të besoja se Insajderi ka gabuar, dhe hyra në faqen zyrtare të Antikorrupsionit, ku u shokova me gabimet faktike, gramatikore, e përmbajtësore që përmbante deklarata e pasurisë sime. Punonjësi i Agjensionit Antikorrupsion që ka procesuar formularin tim, duhet të ketë qenë shumë neglizhent dhe i padijshëm për të bërë këto gabime, si në vijim:

– Emri im është Meliza Haradinaj Stublla dhe jo Melisa;
– Që nga viti 2013 nuk jam më pjesë e Kuvendit Komunal të Prishtinës, por deklaratën e fundit të pasurisë e kam deponuar në Agjensionin Antokorrupsion në tetor 2017 kur kam filluar punën në Zyrën e Kryeministrit;
– Vlerës së veturës së deklaruar si pasuri e familjes ia kanë shtuar një zero;
– Nuk shkruhet ‘dhurat’ por ‘dhuratë’ – ashtu siç e kam shkruar në formular;
– Nuk shkruhet ‘e bler’ por ‘e blerë’ ashtu siç e kam shkruar etj.

Shtrembërimi i së vërtetës është akt i dënueshëm, ashtu siç është edhe deklarimi i rrejshëm i pasurisë. Kur zyrtarët publikë deklarojnë rrejshëm pasurinë (ose e fshehin atë) – ata i ndjek ligji.

KËRKOJ që i njejti ligj të ndjekë edhe punonjësit e papërgjrgjshëm dhe joprofesional që nuk i kanë procesuar saktë formularët origjinal të deklaratave të pasurisë së zyrtarëve publikë, sepse jam e bindur se nuk kanë gabuar vetëm në deklaratën time!