Policia e Kosovës ka njoftuar se janë në kërkim të pesë personave që dyshohet se janë të përfshirë në kontrabandë me mallra, njofton Insajderi.com.
Përmes një komunikate, Policia tha se personat e kërkuar, Besim Zeqiri, Halil Sylejmani, Festim Sylejmani, Fitim Latifi dhe Milan Radisavljevic, janë pjesë e aksionit të zhvilluar të mërkurën në katër komuna të vendit.
“Hetimet intensive drejt identifikimit të personave të dyshuar të përfshirë në kontrabandë me mallra, janë realizuar nën autorizimin e prokurorisë kompetente, e që kanë rezultuar deri më tani me identifikimin e (5) personave të dyshuar, të cilët janë shpallur në kërkim”, thuhet ndër tjerash në njoftimin e Policisë.
Ndërkaq, paraditen e së mërkurës, Policia e Kosovës së bashku me Doganën e Kosovës kanë zhvilluar një aksion kundër kontrabandimit të mallrave në nivel vendi, përfshirë edhe Mitrovicën e Veriut.
Por, jo të gjithë ishin të bindur ndaj organeve të rendit, ku serbët lokalë në Mitrovicën e Veriut bllokuan rrugët, madje u përplasën edhe me policinë.
PK ka njoftuar se gjatë këtij aksioni janë lënduar gjashtë zyrtarë policorë, pasi që siç thuhet në njoftim “protestuesit kanë rrezikuar zyrtarët policorë, madje duke përdorur edhe armë zjarri”.
Por, aksioni nuk ishte veç në Mitrovicë – u zhvillua edhe në Mitrovicën e Jugut, Prishtinë dhe Pejë.
Për këtë, Policia ka arrestuar tetë persona – gjashtë shqiptarë, një boshnjak dhe një serb./Insajderi.com