Pesë sëmundjet gjenetike më të përhapura në Shqipëri

Pesë sëmundjet gjenetike më të përhapura në Shqipëri

Sëmundjet gjenetike janë të shumta, por pesë janë më të përhapurat në popullsinë shqiptare.

Shefi i qendrës së diagnostikës molekulare, Grigor Zoraqi, tregon për A2 se talasemia, shurdhësia, fibroza cistike, distrofia muskulare dhe Sindromi Down, janë sëmundjet e lindura dhe më të shpeshta te shqiptarët, përcjell albinfo.ch.

E njohur ndryshe si anemia mesdhetare, talasemia është me e përhapur në zonat bregdetare, në Lushnjë dhe në Fier, ku 1 në 5 banorë është mbartës i saj.

“Lëvizja e popullatës ka bërë që edhe në Tiranë përqindja të jetë e lartë, edhe pse jo në atë nivel”, thotë Zoraqi.

Edhe pse në shumicën e rasteve shurdhësia i faturohet temperaturës së lartë te fëmija, 80% e tyre e kanë sëmundje të lindur. Madje në vendin tonë 10% e shqiptarëve janë mbartës të shurdhësisë. Shefi kërkimeve gjenetike propozon programe parandaluese përmes testeve te detyrueshme.

“Kryesorja e mjekësisë sot është ajo parandaluese, në mënyrë që të mos lindin fëmijë me këto sëmundje. Në javën e 16 të shtatzënisë merret lëngu amiotik dhe analizohet për pranin e këtyre sëmundjeve”, vijon Zoraqi.

Por dhe fibroza cistike, sëmundja që shkakton mosfunksionimin e organeve, distrofia muskulare që dëmton muskujt si dhe sëmundja kromozomike e sindromës down, janë të përhapura në popullsinë shqiptare.

Referuar studimeve të fundit, rreth 300 fëmijë lindin çdo vit me këto sëmundje gjenetike. Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë ka vendosur që analizat e ADN-së për sëmundjet me të shpeshta gjenetike t’i bëjë falas për nënat shtatzëne.