Petkovic pas refuzimit të Kurtit për takim me Vuçiqin: E tregoi fytyrën e vërtetë

Petkovic pas refuzimit të Kurtit për takim me Vuçiqin: E tregoi fytyrën e vërtetë

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me refuzimin për të marrë pjesë në raundin e radhës të dialogut më 11 maj në Bruksel, ka treguar se nuk është i interesuar për dialog e kompromis. Sipas Petkoviqit, Kurti nuk e ka fare në agjendë dialogun Kosovë – Serbi të ndihmuar nga BE-ja.

“Albin Kurti sot e ka treguar sërish fytyrën e vërtetë, se nuk i ka mbetur te dialogu apo kompromisi, por i ka mbetur te krijimi i të ashtuquajturës Shqipëri e Madhe. Me këtë sjellje Kurti ka treguar se çështja e dialogut nuk është fare në agjendën e tij e jo në vendin e 4 apo 7 siç ka thënë më herët”, është shprehur Petkoviq për agjencinë e lajmeve Tanjug.

Tutje ai sjelljet e Kurtit i ka quajtur si anti-serbe

“Sjellja e Kurtit jo vetëm ndaj dialogut e ndaj Beogradit, po tregon qartë se është qëndrim anti-serb në pyetje, por po tregon edhe se ai ka poshtëruar edhe vet BE-në pikërisht në Bruksel, në vendin ku para tetë vjetëve është arritur marrëveshja e Brukselit”.

Më pas Petkovic pas refuzimit e Kurtit për të marrë pjesë në takimin e 11 majt në Bruksel, ka ngritur dhe pyetjen se çfarë do t’i ndodhte Beogradit nëse do të refuzonte një gjë të tillë.

“Çfarë do të ndodhte nëse Beogradi do të refuzonte takimin më 11 maj? Me çfarë sanksione do të përballej Beogradi? BE-ja tash duhet të bëjë presion ndaj Prishtinës për ta vazhduar dialogun. Beogradi është i gatshëm dhe dëshiron ta vazhdojë dialogun. Jemi të gatshëm edhe nesër të vazhdojmë dialogun. Vetëm kështu mund të arrijmë te një kompromis. Albin Kurti është ai që vendos në emrin e popullit të tij nëse dëshiron të bisedoj apo jo. Në anën tjetër është i qartë qëndrimi i Beogradit që dëshiron paqe, kompromis e vazhdim të dialogut”./Insajderi.com