Petkoviq: Billbordët e UÇK-së në Graçanicë “kërcënim i hapur” për serbët

Petkoviq: Billbordët e UÇK-së në Graçanicë “kërcënim i hapur” për serbët

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka vlerësuar se ngritja e billbordeve me emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në hyrje të Graçanicës është “një prej kërcënimeve më të hapura ndaj serbëve në pjesën qendrore të Kosovës”, transmeton Insajderi.

Sipas tij, ky është një provokim që dëshmon se “shqiptarët në krahinën jugore serbe” ende janë larg “distancimit të sinqertë nga krimet e kryera në emër të tyre”.

“Kujtoj se disa prej komandantëve të UÇK-së gjenden para gjyqit pikërisht për krime të kryera ndaj serbëve dhe joshqiptarëve tjerë, por edhe ndaj bashkëkombësve të tyre që ishin kundërshtarë të metodave terroriste dhe kriminale të luftës për të arritur qëllimet politike”, tha Petkoviqi.

“Billbordët me emblemën e UÇK-së janë thirrje e hapur për dhunë dhe vepër e njerëzve që krenohen me krimet, dhe për këtë pres që përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë e Metohi të reagojnë me urgjencë dhe të ndërmarrin hapat në mënyrë që ky kërcënim të eliminohet, dhe që populli serb, në këtë moment të ndjeshëm, të mos bie në provokime”, tha Petkoviqi. /Insajderi.com