Petkoviq: Jemi të kënaqur me rezultatin e fazës së parë të marrëveshjes për targat

Petkoviq: Jemi të kënaqur me rezultatin e fazës së parë të marrëveshjes për targat

Drejtori i së ashtuquajturës “Zyre për Kosovën” në Serbi, Petar Petkoviq, tha se Serbia mund të jetë e kënaqur me rezultatin e fazës së parë të zbatimit të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për targat e veturave, përcjell Insajderi.com.

Sipas tij, largimi i Njësive Speciale të Policisë së Kosovës nga pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak po vazhdon sipas marrëveshjes, raporton Tanjug.

“Serbia mund të jetë e kënaqur me rezultatin e fazës së parë të zbatimit të marrëveshjes për targat. Tërheqja e ROSU-s, e cila hyri ilegalisht në veri të Kosovës dhe Metohisë, filloi në orën 8 të mëngjesit të sotëm. KFOR -i erdhi, i cili ka një mandat për të qenë atje, dhe njerëzit tanë do të tërhiqen nga rrugët. I gjithë tranzicioni ka filluar , ne jemi në fazën e parë të zbatimit të marrëveshjes nga Brukseli, dhe regjimi i afisheve të numrave do të fillojë të hënën”, tha Petkoviç për TV Prva.

12 ditë Njësitet Speciale qëndruan në pikat kufitare për ta zbatuar reciprocitetin me targa.

Edhe për targat ka një marrëveshje të përkohshme; veturat nga Kosova dhe Serbia do të iu vendoset stikersa.

Këto targa janë bërë shkak që situata të tensionohet në veri, pas protestave të serbëve lokalë dhe vendosjes së barrikadave nga ana e tyre.

Për këtë KFOR-i do të qëndrojë për dy javë në ato pika kufitare.

Marrëveshja e Brukselit:

Sipas marrëveshjes së arritur të enjten me ndërmjetësimin e BE-së, forcat e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës që janë vendosur në Jarinjë dhe Bërnjak për më shumë se 10 ditë, do të largohen, por njëhkohësisht do të largohen edhe bllokadat e vendosura në rrugë.

Kjo tërheqje do të ndodhë të shtunën, më 2 tetor në orën 08:00 dhe do të përfundojë maksimalisht deri në orën 16:00.

KFOR-i do të vendoset në këto dy pika kufitare para se të nisë largimi i sinkronizuar dhe do të qëndrojë për dy javë për të mbajtur ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë.

Marrëveshja e Brukselit për targat

Në pikën 2 të marrëveshjes, nga 4 tetori, ora 8:00, hyn në fuqi regjimi i letrave ngjitëse me të cilat do të mbulohen elementet shtetërore në targat e veturave të Kosovës dhe Serbi.

Pika e tretë e kësaj marrëveshje thotë se do të krijohet një Grup Punues i përbërë nga përfaqësuesit e të tri palëve – të BE’së, Prishtinës dhe Beogradit, dhe që do të kryesohet nga BE’ja për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave bazuar në standardet dhe praktikat e Bllokut.

Takimi i parë i këtij Grupi të Punës do të mbahet më 21 tetor 20201 në Bruksel.

Brenda gjashtë muajve nga takimi i tij i parë, Grupi i Punës do të paraqesë gjetjet e tij mbi një format të përhershëm të nivelit të lartë të Dialogut.

Çfarë ndodhi në Veri të Kosovës?

Serbët e veriut nuk u pajtuan me këtë aksion që për qëllim kishte vendosjen e rendit. Një numër i madh i tyre dolën në rrugë, ku pos protestave – bllokuan rrugët me dhjetëra kamionë.

Gjithçka nisi në mëngjesin e së hënës, kur Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës u pozicionuan në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak për të siguruar se po zbatohet masa e reciprocitetit me Serbinë për targat.

Nuk vonoi shumë dhe po atë ditë filloi seanca e Kuvendit të Kosovës. Aty me targa në dorë doli kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. “Targat e përkohshme nuk janë dëshirë e jona, por imponim nga pala tjetër”, tha ai para deputetëve.

Por, ai gjeti kundërshtim nga opozita, të cilët thanë se “po bën shoë”, duke aluduar te zgjedhjet lokale që pritet të mbahen më 17 tetor. Kurtin për këtë masë e kundërshtoi edhe një pjesëtar i kabinetit të tij. Goran Rakiq – kryetar i Listës Serbe, kërkoi nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, që të reagonte.

Njeriu nga i cili Rakiq kërkon reagim, Aleksandër Vuçiq, sipas raportimeve të mediave serbe, thirri menjëherë mbledhje urgjente të Këshillit për Siguri Kombëtare. Ai paralajmëroi masa ekonomike e politike ndaj Kosovës.

Në po atë natë, derisa protestat vazhduan – ato filluan të bëhen edhe më tensionuese. Përveç tendave të vendosura nga banorët serbë të asaj zone, me çka treguan se nuk e kanë ndërmend të ndalen, të njëjtit ngritën edhe një baner të madh me mbishkrimin “Mirësevini në Asociacionin e Komunave Serbe”./Insajderi.com