Petkoviq: Ka filluar fushata në Kosovë, serbët sërish në shënjestër

Petkoviq: Ka filluar fushata në Kosovë, serbët sërish në shënjestër

Pas vendimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës për të ndaluar hyrjen e tij në Kosovë, drejtori i të ashtuquajturës “zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë”, Petar Petkoviq, ka thënë se veprimet e politikanëve shqiptarë tregojnë se marketing politik është më i rëndësishëm për ta sesa jeta dhe siguria e njerëzve, transmeton Insajderi.

“Sonte, dy orë pas mesnatës, institucionet e përkohshme në Prishtinë vendosën të më ndalonin t’i vizitoja zonat e përmbytura në zonat serbe në provincën jugore dhe të dorëzoja ndihma humanitare për familjet e rrezikuara”, tha Petkoviq në një deklaratë, raporton ‘KosovoOnline’.

Ai tha se “është e qartë që fushata zgjedhore në Prishtinë filloi para afatit ligjor” dhe se “serbët ishin përsëri shënjestrat kryesore”.

“Veprimet e politikanëve shqiptarë tregojnë se marketingu politik është më i rëndësishëm për ta sesa jeta dhe siguria e njerëzve. Në të njëjtën kohë, sjellja e Prishtinës tregon se Bashkimi Evropian nuk është në gjendje të sigurojë respektim për marrëveshjet e arritura, përfshirë atë për lirinë e lëvizjes. Ne po marrim pjesë në çfarëdo mënyre në rritjen e tensioneve në provincë, sepse një atmosferë e tillë derdhet gjithmonë mbi kurrizin e njerëzve tanë, por një gjë për të gjithë mund të jetë i sigurt – askush nuk mund të na ndalojë t’i ndihmojmë njerëzit tanë. Ndihma e Qeverisë sonë do të arrijë tek njerëzit tanë të rrezikuar nga përmbytjet, siç kemi premtuar”, tha Petkoviq.

Kryediplomatja kosovare, Meliza Haradinaj-Stublla, ka bërë të ditur sot vendimin për refuzimin e kërkesës për të hyrën në Kosovë – Petar Petkoviqit.

“Pas interesimit të medieve, njoftoj opinionin publik se edhe sonte MPJD ka refuzuar kërkesën e zyrtarit serb Petar Petkoviq (i ashtuquajtur ‘drejtor në zyrë për Kosovën’) për vizitë në Republikën e Kosovës”, ka thënë Haradinaj.

Kjo sipas saj ka ndodhur pasi që Serbia po vazhdon të sillet në mënyrë destruktive. /Insajderi.com