Petkoviq: Kurrë s’do të heqim dorë nga formimi i Asociacionit

Petkoviq: Kurrë s’do të heqim dorë nga formimi i Asociacionit

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre Serbe për Kosovën, Petar Petkoviq, ka deklaruar se kurrë nuk do të heqin dorë nga formimi i Asociacionit, sepse sipas tij “Beogradi ka përmbushur të gjitha detyrimet e tij dhe ka dëshmuar se është një pjesëmarrës i besueshëm në dialog”, transmeton Insajderi.

Ai në një intervistë për gazetën serbe “Politika”, ka thënë se është absolutisht e papranueshme që “Prishtina të shmangë detyrimet e saj në negociata për kaq gjatë dhe të mos mbajë asnjë përgjegjësi për një sjellje të tillë”.

Petkoviq ka theksuar se nëse bashkësia ndërkombëtare kujdeset që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të vazhdojë në mënyrë serioze, kjo situatë do të zgjidhet me marrëveshje të nënshkruar.

“Nëse bashkësia ndërkombëtare kujdeset që dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës të vazhdojë në një mënyrë serioze dhe thelbësore, kjo situatë absurde duhet të zgjidhet në favor të dialogut dhe marrëveshjeve të nënshkruara, dhe për të mirën e të gjithë popujve që jetojnë në Kosovë”, ka shtuar ai./Insajderi.com