Petkoviq: Kurti zhvilloi aksionin në veri vetëm për vota, s’kishte asgjë tjetër

Petkoviq: Kurti zhvilloi aksionin në veri vetëm për vota, s’kishte asgjë tjetër

Drejtori i të ashtuquajturës “Zyre për Kosovën” në Serbi, Petar Petkoviq, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi aksionin në Mitrovicën e Veriut të mërkurën, “në mënyrë që të ketë diçka për t’u ofruar votuesve të tij para zgjedhjeve lokale, pasi nuk ka asgjë tjetër”, transmeton Insajderi.com.

Sipas tij, deklarata e disa ambasadave në Prishtinë, pas aksionit të Policisë së Kosovës në veri, mund të shihet se ata mbështesin terrorin dhe dhunën.

Sulmi ndaj Policisë së Kosovës

“Unë nuk pres asgjë të veçantë. Duke pasur parasysh që Perëndimi mbështet Kurtin dhe Prishtinën, çfarëdo krize që të shkaktojnë, ata janë fëmijë të Perëndimit, ne duhet ta dimë këtë mirë në luftën tonë për Kosovën dhe Metohinë,” tha ai.

Tutje, ai tha se raporti i rregullt i Sekretarit të Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara mbi punën e UNMIK-ut do të paraqitet të premten në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku kreu u diplomacisë serbe do të paraqesë faktet me të cilat “ballafaqohen njerëzit serbë”, raporton RTS.

Po ashtu, Petkoviq përmendi edhe zgjedhjet lokale që mbahen të dielën, ku theksoi se është e rëndësishme që serbët të dalin të votojnë dhe siç thotë ai, “të fitojnë kandidatët e Listës Serbe”.

“Ata kanë mbështetjen e Vuçiqit dhe Beogradit, duke e ruajtur kështu kordonin tonë kërthizor, ai është garant për investime të mëtejshme. Të tjerët jashtë Listës Serbe janë shkelësit e unitetit serb, ata kanë mbështetjen e Prishtinës. Le t’i shpëtojmë të 10 komunat serbe në Kosova ”, thotë Petkoviq.

Ndryshe, paraditen e së mërkurës, Policia e Kosovës së bashku me Doganën e Kosovës, kanë zhvilluar një operacion kundër kontrabandimit të mallrave në disa rajone të vendit.

Operacioni është zhvilluar edhe në Mitrovicën e Veriut, ku serbët lokalë penguan zyrtarët policorë në kryerjen e këtij operacioni duke i sulmuar ata me armë zjarri, granata dore, shok bomba etj.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, në një konferencë për media të mërkurën, tha se të lënduar nga ky aksion mbetën 10 zyrtarë policorë, teksa shtoi se ka dyshime që ky aksion u dekonspirua – gjë për të cilën kanë nisur hetimet./Insajderi.com