Petkoviq – Kurtit: Si mund të dialogoni kur në drejtim të popullatës serbe keni drejtuar pushkët e gjeta

Petkoviq – Kurtit: Si mund të dialogoni kur në drejtim të popullatës serbe keni drejtuar pushkët e gjeta

“Si po mendon Kurti të bisedojë derisa në drejtim të popullatës civile serbe ka drejtuar pushkët e gjeta”.

Ky ka qenë reagimi i drejtorit të së ashtuquajturës “Zyre për Kosovën”, Petar Petkoviq, teksa komentoi fjalët e Kurtit për dialog.

Në bazë të njoftimit të kësaj “zyreje”, kreu i ekzekutivit kosovar dëshiron “ta destabilizojë rajonin”.

“I vetmi person që avokon hapur destabilizimin e situatës në Kosovë dhe Metohi është Albin Kurti, i cili me lëvizjet e tij të çmendura dëshiron të shkatërrojë paqen dhe stabilitetin e fituar me vështirësi në rajon”, ka thënë Petkoviq, raporton agjencia e lajmeve serbe Tanjug, transmeton Shqip.com.

Petkoviq kishte edhe një mesazh për Albin Kurtin.

“Kompromiset mund të arrihen në bisedime, por jo me politikë agresore e dhunuese të Prishtinës, këtë le ta ketë të qartë çdokush”, deklaroi ai.

Të mërkurën, pas mbledhjes së qeverisë, Albin Kurti, doli në një konferencë për media – nga aty tregoi gatishmërinë e tij për dialog me Serbinë.

“Unë dhe zëvendësi im Bislimi kemi shprehur gatishmërinë për këtë gjë, mirëpo pasi që kane marrë dakordimin tonë, ata kanë refuzuar”, deklaroi Kurti.

Por, njëjtë edhe Vuçiqi të martën, pas takimit në Këshillin për Siguri Kombëtare në Serbi, theksoi se “duhet të ulen me Prishtinën e të bisedojnë”.

Nëse “Prishtina nuk reflekton”, atëherë i pari në Serbi “paralajmëroi masa”.

Por, këto deklarata të Vuçiqit për Albin Kurtin tregojnë veç “inatin e tij”.

“Nuk e di se për çfarë masazh të Serbisë ndaj Kosovës e ka fjalën, por besoj që Kosova dhe Serbia duhet të ndërtojnë marrëdhënie të mira fqinjësore duke u bazuar edhe në interesat e përbashkëta dhe vlerat evropiane”, potencoi Kurti referuar deklaratës së Vuçiqit.

Nata e fundit në zonat kufitare Kosovë – Serbi.

Numri i protestuesve serbë kundër reciprocitetit të targave është rritur, krahasuar me mbrëmjen e fundit, ku kishte më pak persona në rrugë.

Po ashtu, njësitet speciale u ndryshuan gjatës mesnatës dhe nuk kishte ndonjë incident, raporton Kosovo Online, transmeton Shqip.com

Përveç anëtarëve të Rosu, situata në veri të Kosovës u monitorua nga KFOR, i cili gjithashtu patrulloi me helikopter.

Rrugët kryesore që çojnë në vendkalimet Jarinje dhe Bërnjak u bllokuan nga makineritë e rënda të vendosura nga qytetarët serbë.

Të hënën, Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës u pozicionuan në disa pika kufitare me Serbinë.

Kjo për ta zbatuar reciprocitetin e targave, që cilësohet të jetë edhe pjesë e Marrëveshjes së Brukselit në kuadër të lëvizjes së lirë. /Insajderi.com