Petkoviq: Luftuam shumë që marrëveshja për targat të zgjasë edhe për pesë vite

Petkoviq: Luftuam shumë që marrëveshja për targat të zgjasë edhe për pesë vite

Drejtori i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovën”, Petar Petkoviq, ka deklaruar se autoritetet serbe kanë bërë çmos për ta zgjatur edhe pesë vjet marrëveshjen me Kosovën për targat, transmeton Insajderi.com.

Dy shtetet janë pajtuar në shtator të 2016-s për mbulimin me letër ngjitëse në pjesë të caktuara të tabelave. Por, pasi marrëveshja ka përfunduar para një jave, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të ua vendosë targat e përkohshme të gjitha veturave që hyjnë në territorin e saj nga Serbia.

Ky vendim është marrë si përgjigje ndaj Serbisë që ka disa vite që ka bërë ngjashëm me veturat të cilat kishin targat e Kosovës (RKS).

Sipas Petkoviqit, vendimi i Kosovës për të vendosur reciprocitet për targa “është vendim i njëanshëm”.

Ka kërkuar nga qytetarët serbë që kanë bllokuar kufijtë në Jarinje e Bërnjak në shenjë proteste, “të ruajnë qetësinë e të mos reagojnë nga provokimet e Prishtinës”.

“Gjëja më e rëndësishme është ruajtja e paqes. Ne do të protestojmë paqësisht për të treguar se nuk pajtohemi me këtë”, ka thënë Petkoviq për “TV PINK”./Insajderi.com