Petkoviq: Më në fund, Kurti pranoi ekzistencën e arkivave të UÇK-së

Petkoviq: Më në fund, Kurti pranoi ekzistencën e arkivave të UÇK-së

Drejtori i së ashtuquajturës “Zyre për Kosovën në Serbi” Petar Petkoviq, ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më në fund ka pranuar ekzistencën e arkivave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe se është gati për t’i hapur ato, transmeton Insajderi.com.

Sipas tij, kjo është mënyra e vetme që të bëhet ndryshimi i shumëpritur në sqarimin e fatit të një mijë e 600 personave të zhdukur në luftë, raporton Tanjug.

Po ashtu, Petkoviq deklaroi se Beogradi është partner i besueshëm në përmbushjen e të gjitha detyrimeve të tij nga dialogu.

“Beogradi është një partner absolutisht i besueshëm në përmbushjen e të gjitha detyrimeve të tij nga dialogu dhe një bashkëbisedues në bashkëpunimin në fushat që përfaqësojnë trashëgiminë e qytetërimit, siç është edhe kërkimi i të zhdukurve”, tha ai.

Tutje, ai tha se presin që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të ndjekë hapat e Kurtit dhe të pranojë që themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe nuk është mendimi i saj personal.

“Ne presim që Vjosa Osmani të ndjekë hapat e tij dhe të pranojë se formimi i KPK -së nuk është zgjedhja e saj personale, por një detyrim që u mor nga Prishtina 3069 ditë më parë dhe i cili thjesht duhet të zbatohet”, shtoi ai.

Lidhur me hapjen e arkivave të UÇK-së, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se ka përkrahur idenë që ato të hapen pasi që sipas tij, Kosova s’ka asgjë për të fshehur dhe se pas luftës, shteti ka qenë nën administrimin e ndërkombëtarëve.

Ndryshe, kryenegociatori i Kosovës në dialog me Serbinë, Besnik Bislimi, kishte bërë të ditur të enjten se pas takimit trepalësh në Bruksel ishin dakorduar që të dy shtetet të hapin arkivat e tyre lidhur me UÇK-në.

E këto deklarata kishin ngjallur reagime të shumta dhe se opozita kishte kritikuar Qeverinë se “po e barazon UÇK-në me Serbinë”./Insajderi.com