Petkoviq: Në Bruksel do të insistojë për formimin e Asociacionit

Petkoviq: Në Bruksel do të insistojë për formimin e Asociacionit

Delegacioni i Beogradit për dialogun Kosovë Serbi, i udhëhequr nga drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën”, Petar Petkoviq, ka arritur në Bruksel, transmeton Insajderi.

Në prag të udhëtimit, Petkoviq tha se Beogradi do të insistojë në formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, për sigurinë më të madhe për serbët, çështjen e të zhdukurve dhe kthimin e personave të zhvendosur brenda vendit, shkruan ‘Alo.rs’.

Sikurse Petkoviq, edhe kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, ka arritur në Bruksel, madje ky i fundit ka zhvilluar një takim me ndërmjetësuesin e BE-së, Miroslav Lajçak, një ditë para takimit me palën serbe.

Në takimin me Bislimin, Lajçak tha se gjithçka që do të bisedohet mes Kosovës dhe Serbisë është politike dhe asgjë teknike.

“E mirëprita Besnik Bislimin, zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës për diskutime sot para takimit të dialogut në nivelin e kryenegociatorëve nesër. Gjithçka në bisedimet mbi normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është politike, asgjë s’është teknike”, tha ai. /Insajderi.com