Drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka quajtur “nervozizëm të justifikuar” reagimin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për samitin e Lëvizjes së Shteteve të Painkuadruara të mbajtur në Beograd.
Osmani ka thënë se Serbia sërish po e keqpërdorë statusin e vendit vëzhgues me synim për ta shtrembëruar të vërtetën për shtetin e Kosovës.
Ndaj sipas saj, për të kontribuuar në marrëdhëniet e mira fqinjësore midis dy vendeve, Serbia duhet të heqë dorë nga përpjekjet për të minuar pozitën ndërkombëtare të Kosovës.
E kjo deklaratë ka nxitur reagimin e Petkoviqit, i cili ka thënë se Osmani me të drejtë po shfaq nervozizëm, pasi sipas tij, për të është e qartë se Kosova është duke humbur mbështetjen ndërkombëtare çdo ditë, shkruan Tanjug, transmeton Shqip.com.
“Më vjen mirë që Osmani po i përcjell ngjarjet në Beograd, sepse në ditët e kaluara ajo mund të shihte se çfarë do të thotë reputacioni, mbështetja dhe suksesi diplomatik”, është shprehur Petkoviq.
“Ajo si një fëmijë xheloz po sulmon Beogradin zyrtar përsëri. Duke akuzuar zyrtarët në Beograd për krime, shpërfaq natyrën kriminale me anë të së cilës është krijuar shteti i rremë i Kosovës, liderët e së cilës mbahen sot në Hagë për krime monstruoze të së ashtuquajturës UÇK, ndaj serbëve dhe qytetarëve të tjerë”./SHQIP.com