Petkoviq pretendon se është sulmuar Kisha në Viti: Kërkoj nga ndërkombëtarët të rrisin nivelin e mbrojtjes së objekteve fetare serbe

Petkoviq pretendon se është sulmuar Kisha në Viti: Kërkoj nga ndërkombëtarët të rrisin nivelin e mbrojtjes së objekteve fetare serbe

Drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, pretendon se po kryhen sulme ndaj trashëgimisë fetare dhe kulturore të Kishës Ortodokse Serbe, për çka thotë se “këto sulme do të vazhdojnë”, duke theksuar se autorë të paidentifikuar kanë gjuajtur me gurë kishën e Vitisë, por që askush nuk është lënduar.

“Incidenti, i cili ndodhi të Dielën rreth orës 10:00, u parapri nga një përpjekje nga protestues të panjohur për të hequr trengjyrëshin serb nga këmbana e Kishës së Apostujve të Shenjtë Pjetër dhe Pal në Kllokot në ditën e Shën Gjergjit”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga kjo zyrë.

Sipas tyre, me rastin e pretenduar, numri i sulmeve ndaj kishave ortodokse në territorin e Kosovës “është rritur në dhjetë që nga fillimi i vitit dhe autorët e krimeve të tmerrshme nuk janë arrestuar ose ndëshkuar”.

Në emër të Qeverisë serbe, Petkoviq kërkoi nga përfaqësuesit ndërkombëtarë që të rrisin nivelin e mbrojtjes së ndërtesave fetare serbe në një nivel edhe më të lartë, dhe për të garantuar paqen dhe sigurinë për besimtarët në Kosovë “sepse pa atë mandati i tyre humbet çdo kuptim real”. /Insajderi.com