
Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, do të vizitojë sot dhe nesër Veriun e Kosovës, ku pritet të viziojë komunat me shumicë serbe si: Mitrovicën e Veriut dhe Zubin Potokun, njofton Insajderi.
Siç bëhet e ditur nga kjo zyrë, Petkoviq pritet të vizitojë edhe Bajën, fshatin me shumicë serbe në komunën e Skenderajt.
Kjo është vizita e parë e Petkoviqit në Kosovë që nga marrja e detyrës si drejtor në këtë zyrë duke pasuar Marko Gjuriqin. Ai fillimisht do ta vizitojë Qendrën Shëndetësore në Mitrovicën e Veriut dhe laboratorin e sapo ndërtuar për testet PCR.
Më pas, ai do të mbajë një takim me kryetarin e sapo zgjedhur të Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq.
“Të gjitha aktivitetet e mësipërme të drejtorit të Zyrës për Kosovë dhe Metohi do të kryhen në përputhje me masat shëndetësore të përshkruara për shkak të situatës aktuale epidemiologjike, të shkaktuar nga virusi COVID-19”, thuhet në njoftim. /Insajderi.com