Petkoviq: Qëndrimet e Kurtit po e shkatërrojnë të ardhmen e dialogut

Petkoviq: Qëndrimet e Kurtit po e shkatërrojnë të ardhmen e dialogut

Shefi i të ashtuquajturës ‘Zyrë për Kosovën’ në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për procesin e dialogut mes dy vendeve, duke thënë se përmes këtyre deklaratave Kurti “në mënyrën më të vrazhdë e ka shpallur të fundin e dialogut dhe ka shkatërruar gjitha arritjet e deritashme nga dialogu i zhvilluar në Bruksel”, transmeton Insajderi.

“Kërcënimet e Kurtit se, kushti për vazhdimin e dialogut është që Beogradi të njohë Kosovën, të njohë krimet e pretenduara në Kosovë, në mënyrë të drejtëpërdrejtë po shkatërrojnë të ardhmen e dialogut dhe kompromisit, dhe në veçanti përmes pozicionit të tij se, nuk do të lejojë formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, që është detyrimi kryesor i Prishtinën, bazuar në Marrëveshjen e Brukselit”, thuhet në një komunikatë të Petkoviqit, raporton REL.

Më 22 mars, gjatë një debati për të ardhmën e dialogut, organizuar nga “Forum 2015”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se procesit të dialogut duhet bërë një rishikim dhe se ai mund të vazhdojë vetëm nëse respektohen katër parime.

“Duhet pranuar realiteti, duhet pranuar e vërteta, duhet të ulemi si të barabartë dhe i katërti duhet të përfitojnë qytetarët”, ka thënë Kurti.

Sipas autoriteteve serbe, në këtë mënyrë, Kurti tregoi se nuk është i interesuar për dialog që do të çojë në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme.

“Në vend të kësaj, Kurti shkatërron drejtpërdrejt paqen dhe stabilitetin në rajon dhe e kthen Ballkanin Perëndimor në fuçi djegëse baruti”, thuhet në deklaratë, përmes së cilës kërkohet që ndaj deklaratave të Kurtit të reagojë edhe Bashkimi Evropian.

Kryeministri Kurti ka thënë se dialogu me Serbinë nuk do të jetë në mesin e prioriteteve të Qeverisë së tij. /Insajderi.com