Petkoviq: Raundi i ri i bisedimeve nis me temën e Asociacionit

Petkoviq: Raundi i ri i bisedimeve nis me temën e Asociacionit

Drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë”, Petar Petkoviq, thotë se raundi i ri i dialogut me Prishtinën do të fillojë me temën e mosformimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, transmeton Insajderi.

Petkoviq thekson se më 6 korrik bëhen saktësisht tre mijë ditë që nga nënshkrimi i marrëveshjes së Brukselit dhe sipas tij, “Prishtina nuk ka përmbushur pjesën e saj të marrëveshjes dhe gjashtë pikat e para që i referohen Asociacionit”.

“Sigurisht që do të jetë tema kryesore për ne, ne gjithashtu do të flasim për të zhdukurit, sepse është një çështje e rëndësishme që rëndon të dy palët dhe nuk është vetëm një çështje politike por edhe një çështje e civilizimit,” tha ai për ‘TV Happy’.

Petkoviq thotë se një nga temat do të jetë marrëveshja për lirinë e lëvizjes, derisa akuzon Prishtinën se po e abuzon atë, si dhe marrëveshjet e tjera të nënshkruara.

“Ju e dini që unë dhe zyrtarë të tjerë qeveritarë janë parandaluar të vizitojmë provincën tonë jugore disa herë. Ne gjithashtu do të diskutojmë mbi sigurinë e serbëve, si dhe kthimin e personave të zhvendosur brenda vendit, e cila ishte tema e dialogut teknik vitin e kaluar”, tha Petkoviq.

Sa i përket zbatimit të marrëveshjes për formimin e Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, gjatë ditës së djeshme Zëvendës-Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, tha se është obligim të cilin Kosova e ka pranuar dhe duhet ta zbatojë.

“Kosova i pranoi obligimet ndaj pakicës serbe dhe patjetër duhet t’i plotësojë. Ekzistojnë mekanizma përmes të cilave Kosova mund të zgjidh këtë çështje në përputhje me Kushtetutën e vet”, ka thënë ai në një intervistë për “RTV21”. /Insajderi.com