Petkoviq reagon ndaj Lumezit për nisjen e hetimeve për vaksinat në Veri

Petkoviq reagon ndaj Lumezit për nisjen e hetimeve për vaksinat në Veri

Drejtori i të ashtuquajturës ‘Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë’, Petar Petkoviq, ka reaguar ndaj kryeprokurorit të Shtetit, Aleksander Lumezi, i cili njoftoi se do të nisin hetimet për futjen e vaksinave në mënyrë ilegale nga Serbia në territorin e Kosovës, njofton Insajderi.

Petkoviq, pas lajmit për mundësinë e nisjes së hetimeve, tha se ambiciet politike të askujt nuk duhet të jenë mbi shëndetin dhe jetën e njerëzve.

“Coronavirusi nuk njeh prejardhjet etnike të dikujt, gjë që kuptohet mirë nga Serbia, e cila, me rekomandimin e Presidentit Aleksandar Vuçiq, po përpiqet të sigurojë vaksina të mjaftueshme edhe për komunitetet e tjera në Kosovë dhe Metohi, pasi ne i dhuruam 1.000 teste PCR Institutit të Shëndetit Publik në Prishtinë gjatë pandemisë. Është obligim yni të sigurojmë sasi të mjaftueshme të vaksinave për të gjithë qytetarët, pa përjashtim”, u shpreh ai, raportojnë mediat serbe.

Petkoviq tutje tha se është e pakuptimtë që dikush e vë politikën para mbrojtjes së jetëve, dhe në kohën kur e tërë bota po e lufton pandeminë dhe kur po i afrohemi shifrave prej dy milionë të vdekurve, dikush dëshiron të merret me vaksinat dhe të pengojnë imunizimin. /Insajderi.com