Petkoviq: Serbia e gatshme për dialog, njohja reciproke nuk është temë

Petkoviq: Serbia e gatshme për dialog, njohja reciproke nuk është temë

Drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë”, Petar Petkoviq, ka thënë se Serbia është e gatshme të vazhdojë dialogun me Kosovën, por njohja e ndërsjellë nuk është temë, transmeton Insajderi.

Siç thuhet në njoftimin e të ashtuquajturës Zyre për Kosovën, Petkoviq thotë se ‘politikanët shqiptarë, me mesazhin kërcënues se rezultati i vetëm i dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës duhet të jetë njohje reciproke, vërtetuan drejtpërdrejt se ata nuk janë të interesuar për dialog dhe marrëveshje’, raporton agjencia serbe e lajmeve ‘Tanjug’.

Ai thotë se politikanët e Kosovës po sabotojnë dialogun në baza ditore – andaj duhet të pranojnë se nuk janë të interesuar në ndërtimin e paqes dhe stabilitetit, por në mbrojtjen e “konfliktit të ngrirë” që rritë tensionet dhe hendekun që ekziston mdisi popujve brenda territorit të Kosovës.

“Në vend që të mashtrojnë pamatur publikun dhe të sabotojnë dialogun në baza ditore, le të pranojnë se nuk janë të interesuar në ndërtimin e paqes dhe stabilitetit, por në mbrojtjen e konfliktit të ngrirë dhe tensioneve të përditshme në terren, të cilat fatkeqësisht janë një rrezik dhe një alternativë për dialog, as nuk ndihmojnë në mirëkuptimin dhe marrëveshjen e ndërsjellë, por rrisin tensionet dhe hendekun që ekziston midis popujve në territorin e Kosovës “, thotë Petkoviq.

Dialogu Kosovë-Serbi do të vazhdojë brenda pak ditësh.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të takohen për herë të parë me njëri-tjetrin të martën e 15 qershorit në Bruksel me ndërmjetësimin e Josep Borell e Miroslav Lajçak. /Insajderi.com