Petkoviq shfrytëzon takimin me ambasadorin italian për të bërë propagandë

Petkoviq shfrytëzon takimin me ambasadorin italian për të bërë propagandë

Petar Petkoviq, drejtor i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, e ka shfrytëzuar një takim me ambasadorin italian në Beograd, Carlo Lo Cascio, për të bërë propagandë në raport me Kosovën.

Petkoviq, në takim me diplomatin italian ka folur për kinse “sulme të përditshme ndaj pronës dhe objekteve të tij të Kishës Ortodokse Serbe”, raporton media serbe Danas, njofton Insajderi.

Zyrtari serb, pasardhës i Marko Gjuriq-it në këtë pozitë, e ka nxjerr këtë gjendje “të pasigurisë në Kosovë”, si arsye që dialogu duhet të fillojë shpejt dhe të gjendet një zgjidhje.

“Beogradi mbetet i përkushtuar për dialog, si mënyra e vetme për zgjidhjen paqësore të të gjitha çështjeve të hapura dhe krijimin e parakushteve për stabilizimin e përhershëm të situatës në rajon”, tha ai.

Në Serbi ka disa kohë që ka filluar krijimi i një narracioni dhe fushate që flet për rrezikun e objekteve kishtare serbe në Kosovë.

Megjithatë, të dhënat tregojnë ndryshe. Edhe nga një raport i policisë së Kosovës për sulmet apo vjedhjet në objektet fetare në Kosovë, numër shumë më i madh i vjedhjeve kishte ndodhur në xhamitë nëpër Kosovë, sesa në Kisha./Insajderi.com