Petkoviq s’lejohet në Kosovë – përdori gjuhë të urrejtjes

Petkoviq s’lejohet në Kosovë – përdori gjuhë të urrejtjes

Shefi i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, nuk është lejuar të realizojë vizitën dy ditore, me 3 dhe 4 shtator, në Kosovë, njofton Insajderi.com.

Përmes një përgjigje, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka bërë të ditur se nuk ka lejuar vizitën e tij për shkak se në tri vizitat e fundit në Kosovë, ai kishte përdorur gjuhë të urrejtjes dhe nxitëse.

“Petkoviq në rolin e tij si drejtor i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ashtu edhe si kryenegociator i palës serbe, ka ofruar në vazhdimësi garancione që vizitat e tij në Kosovë do t’i organizojë duke shmangur në tërësi provokimet dhe deklarimet eventuale nxitëse. Në kundërshtim me obligimin e marrë dhe zotimin që do të përmbahet nga deklaratat provokuese dhe nxitëse të urrejtjes, ai në vazhdimësi në tri vizitat e fundit haptazi ka përdorur gjuhë të urrejtjes dhe nxitëse, duke kulmuar në vizitën e fundit në inaugurimin e të ashtuquajturit ‘universitetet’ në Mitrovicë të Veriut, thuhet në përgjigjen e MPJD-së për agjencinë e lajmeve Kosova Press.

Po ashtu, bëhet e ditur se vizita dy ditore i është ndaluar vetëm Petkoviqit, kurse pjesës tjetër të delegacionit i është miratuar hyrja.

“Bazuar në këtë, Qeveria e Republikës së Kosovës nuk i ka lejuar hyrjen në Kosovë për datat 3-4 shtator 2021 atij, teksa për pjesën tjetër të delegacionit ka miratuar hyrjen”, thuhet më tej në përgjigje.

Ndryshe, Petkoviq ishte paraparë që të qëndrojë në Kosovë gjatë së premtes dhe të shtunës, teksa nga kjo Zyre kanë thënë se ai kishte planifikuar të vizitojë disa subjekte afariste ku shteti serb ka siguruar vende të reja pune.

“Autoritetet në Prishtinë nuk i kanë lejuar hyrjen në Kosovë drejtorit të ashtuquajturës Zyre për Kosovë, Petar Petkoviq, të vizitojë Kosovën. Sot dhe nesër, drejtori Petkoviq ishte paraparë të qëndrojë në Kosovës dhe të vizitojë disa subjekte afariste ku shteti i Serbisë ka siguruar vende të reja pune, si dhe të vizitojë disa familje në gjendje të rëndë sociale dhe tu ofrojë ndihmë”, thuhet në njoftimin e kësaj zyre./Insajderi.com