Petkoviq vizitë dhe ndihma në Veri, me leje të MPJ-së

Petkoviq vizitë dhe ndihma në Veri, me leje të MPJ-së

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, ka dhënë leje ndaj drejtorit të të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë”, Petar Petkoviq, që të zhvillojë vizitën e tij zyrtare dy-ditore në veri të Mitrovicës.

Në një përgjigje për Gazetën Online Insajderi, nga kjo ministri thonë se në konsultim me institucionet tjera përgjegjëse, Petkoviqit i lejohet kjo vizitë brenda territorit të Kosovës.

“Ministria e Punëve të Jashmte dhe Diasporës, në konsultim me institucionet tjera përgjegjëse, i ka dhënë leje zyrtarit serb Petar Petkoviq për të vizituar Republikën e Kosovës”, thonë në një përgjigje me shkrim Divizioni për Komunikim Publik i MPJ-së.

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, po shpërndanë ndihmat financiare në vlerë prej 100 dhe 200 euro për qytetarët e përkatësisë serbe në Kosovë, “duke përmbushur kështu një premtim të bërë nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq”.

Gjatë vizitës së tij në terren, te familjet në të cilat është vendosur të ndahen këto mjete financiare, Petkoviq meritat për këtë ndihmë ia atribuoi Qeverisë së Serbisë, duke thënë se falë saj po tregohet kujdes ndaj këtyre qytetarëve.

“Është një tregues sesa mendon shteti i Serbisë për njerëzit e tij në Kosovë dhe Metohi, sepse kjo është një paketë shtesë e ndihmës speciale për njerëzit e Kosovës dhe Metohisë. Kjo tregon se ne kujdesemi për njerëzit tanë, se i ndihmojmë ata financiarisht, por gjithashtu se i mbështesim edhe moralisht, sepse njerëzit tanë mund të jenë mirë vetëm nëse vendi i tyre, Serbia, është me ta”, tha Petkoviq, duke shtuar se deri më tani Serbia ka realizuar të ardhura prej katër miliardë dinarë për serbët në Kosovë në projekte të ndryshme, duke mos përfshirë “buxhetin e rregullt”.

“Ne jemi këtu për të ndihmuar dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë në periudhën e ardhshme. Tani ne mund ta bëjmë atë, sepse shteti i Serbisë është mjaft i fortë, si ekonomikisht dhe financiarisht, për të ndihmuar njerëzit tanë, përveç buxhetit të rregullt, ku ne gjithashtu kemi realizuar të ardhura prej katër miliard dinarësh për popullin e Kosovës dhe Metohisë në projekte të ndryshme “, shtoi më tej ai.

“Që nga sot, qytetarët e Leposaviqit mund të marrin ndihmë financiare nga Serbia në degën e rinovuar të Bankës së Kursimeve Postare, e cila, sipas Petkoviqit, është një partner dhe mik i shkëlqyeshëm i të ashtuqujaturës ‘Zyrës për Kosovë’”.

“Ata janë një mbështetje e madhe për ne dhe gjithçka që bën Banka e Kursimeve Postare në Serbinë qendrore, të gjithë njerëzit që jetojnë në komunitetet serbe në Kosovë dhe Metohi kanë këtë lloj shërbimi. Shtë një institucion i rëndësishëm financiar, mbi një shekull i vjetër, i cili vendos standarde të reja, të cilat gjithashtu tregon kjo degë. Ne jemi të kënaqur që po paguajmë këtë paketë financiare të ndihmës përmes Bankës së Kursimeve Postare”, tha ai.

Pas bisedave me qytetarët dhe një vizite në Bankën e Kursimeve Postare, sapo e rihapur në Leposaviq, Petkoviq është takuar me udhëheqësit e komunës së Leposaviqit, me deputetin e Listës Serbe, Slavko Simiq dhe kryetarin e kësaj partie, Goran Rakiq. /Insajderi.com